Kryeministri Edi Rama ka ndarë një lajm për të rinjtë, çiftet e reja dhe familjet shqiptare, duke paralajmëruar zgjerimin e mbështetjes për strehimin e përballueshëm përmes ligjit të ri për strehimin social 2027. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se nisma synon të krijojë më shumë mundësi për sigurimin e një banese, të rrisë sigurinë ekonomike dhe të përmirësojë kushtet e jetesës për qytetarët shqiptarë.
“Me ligjin e ri për strehimin social 2027, zgjerojmë mbështetjen për strehim të përballueshëm, më shumë siguri ekonomike dhe kushte më të mira jetese për çdo qytetar”, u shpreh Rama. Sipas kryeministrit, kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për përafrimin e standardeve të jetesës në Shqipëri me ato të Bashkimit Europian. Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap drejt objektivit “Shqipëria 2030”, duke theksuar synimin që gjithnjë e më shumë familje shqiptare të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen në banesën e tyre.
”Një lajm i mirë për të rinjtë, çiftet e reja dhe familjet shqiptare. Me ligjin e ri për strehimin social 2027, zgjerojmë mbështetjen për strehim të përballueshëm, më shumë siguri ekonomike dhe kushte më të mira jetese për çdo qytetar, duke afruar gjithnjë e më shumë standardet tona me ato europiane. Një hap konkret drejt SHQIPËRIA 2030, ku gjithnjë e më shumë familje ndërtojnë të ardhmen në shtëpinë e tyre”,-shkruan Rama.
