Orari i qëndrimit në shkollë pritet të zgjatet deri në orën 17:00 gjatë vitit 2027.

Ajo që nisi si programi pas shkolle në 408 institucione arsimore në rang vendi në fillim të këtij viti shkollor, po planifikohet të zgjerohet.

Veç bërjes së detyrave të shtëpisë në ambientet mësimore dhe aktiviteteve art e zeje, module të reja do të shtohen, si klubi i shkencës dhe i gjuhëve të huaja.

Për ekspertët e arsimit, ky projekt duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfitojë çdo shkollë në mënyrë të unifikuar.

“Në shumë shtete të zhvilluara ky është orari i qëndrimit deri në 16:00 apo 17:00. Në Shqipëri kjo do të ishte lehtësim për prindërit që nuk kanë mundësi të paguajnë kurse private, por edhe gjithashtu për kohën që duhet të qëndrojnë në punë. Janë më të qetë, besoj, kur e dinë që e kanë fëmijën në shkollë”, tha Ana Llazo.

Ministria e Arsimit ka parashikuar një buxhet prej 5.5 milionë eurosh për financimin e programit, por investimi, sipas arsimtarëve, është kyç në infrastrukturën shkollore për të realizuar me sukses orët kreative përtej orarit mësimor.

“Mendoj se investimi duhet të jetë që në nevoja bazike për vetë procesin e mësimit, edhe sigurisht edhe për aktivitetet, që të mos kthehen të mërzitshme dhe të humbasim vëmendjen e fëmijëve. Nuk duhet të mbetet thjesht në idenë e të bërit të detyrave të shtëpisë në shkollë”.

Programi “pas shkolle” nuk është i detyrueshëm dhe, për të marrë pjesë, prindërit duhet të aplikojnë për fëmijët e tyre në sistemin online SMIP.

Ndaj, këshillohet që nga projekti pilot të mundësohet vitin e ardhshëm shkollor për të gjithë nxënësit.