Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar dy kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës, duke mos pranuar pretendimet për azil dhe pezullimin e ekstradimit deri në përfundimin e një hetimi penal në Brazil.
Në vendimin e datës 11 nëntor 2026, të publikuar një ditë më vonë, gjykatësi Alexandre de Moraes argumenton se plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën aplikim zyrtar për azil. Sipas tij, Mata nuk është paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar kërkesën, duke bërë që procedura të mos konsiderohet e përfunduar.
Gjykata nuk ka pranuar as kërkesën e avokatëve për të pezulluar ekstradimin deri në mbylljen e një hetimi penal që po zhvillohet në Gjykatën Federale të Sao Jose dos Campos. Në vendim theksohet se ekzistenca e hetimeve në Brazil nuk përbën pengesë ligjore për dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare.
Kujtojmë se Gjykata Supreme kishte miratuar njëzëri kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës në gusht 2026. Vendimi u bë përfundimtar më 20 tetor, pasi u rrëzuan edhe ankimimet e mëparshme të mbrojtjes.
Me vendimin e fundit, gjykatësi Alexandre de Moraes ka urdhëruar njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike në Brazil, ndërsa vijimi i procedurës i kalon tashmë autoriteteve ekzekutive të vendit.
Megjithatë, ekstradimi nuk është kryer ende, pasi mbetet në kompetencën diskrecionale të Presidentit të Brazilit dhe lidhet edhe me garancitë që duhet të ofrojë Shqipëria.
Ervin Mata u arrestua në Brazil pas kërkesës së autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
