Sport

Djali përballë babait, Glen Daja fiton duelin familjar, Elbasani i merr fitoren Dinamos në fund!

Elbasani ka marrë një fitore me shumë peshë në Abissnet Superiore, duke mposhtur 1-0 Dinamo City në një përballje që u vendos vetëm në minutat e fundit.

Heroi i verdhebluve ishte Y. Epitaux, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 85-të, duke vulosur tri pikët për skuadrën e tij.

Përtej golit vendimtar dhe rëndësisë së rezultatit, kjo përballje kishte edhe një histori të veçantë në pankina. Glen Daja u përball me Dinamo City-n, skuadrën ku kishte punuar si ndihmëstrajner përkrah babait të tij, Ilir Daja, gjatë dy fazave të para të kampionatit. Këtë herë, megjithatë, përballë ishte në rolin e kundërshtarit, duke dalë fitues nga dueli me ish-ekipin e tij.

Me këtë sukses, Elbasani ngjitet në kuotën e 17 pikëve pas 12 javësh kampionat, po aq sa Dinamo. Verdheblutë mbajnë vendin e katërt falë golavarazhit më të mirë, ndërsa dinamovitët renditen një pozicion më poshtë. Një fitore e vonë, por me vlerë të trefishtë për Elbasanin, që jo vetëm mposht një rival direkt, por edhe e lë pas në renditje.

Më herët, Skënderbeu ka mbyllur me fitore 1-0 përballjen ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias në Abissnet Superiore, duke kaluar herët në avantazh me golin e Georgios Lagonidis në minutën e 2-të dhe duke e ruajtur epërsinë deri në vërshëllimën e fundit.

Një ndeshje e luftuar dhe me episode vendimtare, ku u regjistrua edhe kartoni i kuq për kapitenin Aleksi në mbyllje të pjesës së parë, por korçarët ia dolën ta çonin takimin deri në fund me portën e paprekur.

Kjo fitore i ngjit korçarët në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Elbasanin dhe Dinamon.  Nesër  luhen takimet Teuta – Laçi  dhe Vllaznia – Partizani, të dielën përmbyll raundin ndeshja Vora -Tirana.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.