Përmes një komunikate, EULEX-i i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara, duke i mohuar kategorikisht ato.

Misioni ka sqaruar se bëhet fjalë për një vizitë në paraburgim të Jakup Krasniqit, e cila ishte realizuar për arsye të domosdoshme humanitare.

“EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagim.

EULEX-i ka theksuar gjithashtu se personeli i tij i trajton armët e zjarrit në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Reagimi i misionit vjen pas raportimeve të disa mediave se një pjesëtar i EULEX-it ia kishte drejtuar armën një familjari të Jakup Krasniqit.