Andy Burnham nisi procesin e zhbërjes së Brexit-it, duke arritur të premten një marrëveshje historike me BE-në, por samiti në Bruksel u vu në hije nga një mosmarrëveshje për tarifat e shkollimit në universitete dhe pikëpyetjet mbi drejtimin e ardhshëm të këtij partneriteti.
Kryeministri britanik tha se marrëveshja, e cila hoqi barrierat tregtare për ushqimet dhe pijet dhe krijoi një skemë të re për përvojat e të rinjve, ishte “e mirë për Britaninë dhe e mirë për Evropën”. Ai pretendoi se një analizë e re e Thesarit britanik sugjeronte se marrëveshja mund të rriste PBB-në e Mbretërisë së Bashkuar me 0,5 për qind.
Por Burnham, i cili ka ngritur mundësinë e rikthimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE, pranoi se marrëveshja e Brukselit nuk ishte e mjaftueshme për një perspektivë afatgjatë. “Hapat gradualë mund të na çojnë vetëm deri në një pikë të caktuar”, tha ai.
Kryeministri ka premtuar një debat kombëtar mbi “alternativat” për marrëdhëniet e ardhshme mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, por u përpoq ta shtynte këtë diskutim deri në samitin e ardhshëm me BE-në, me gjasë në vjeshtën e vitit 2027.
“Do të zhvillojmë një proces jozyrtar diskutimesh për të vlerësuar se cilat janë alternativat”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai tha se çdo vendim do t’i takojë parlamentit të ardhshëm.
Por, në një kujtesë të fortë të rreziqeve politike që shoqërojnë përpjekjet për të zhbërë Brexit-in — si dhe vështirësive të negociatave me BE-në — Burnham u befasua kur pa se marrëveshja e tij u pezullua nga 27 vendet anëtare të bllokut.
Të premten në mëngjes, ato përcaktuan se tri marrëveshjet, ku përfshihej edhe një marrëveshje për lidhjen e tregjeve të karbonit, do të zbatoheshin vetëm nëse Britania pranonte që brenda gjashtë muajve të aplikonte tarifa më të ulëta, të barabarta me ato për studentët vendas, për studentët evropianë që studiojnë në universitetet britanike, shkruan Ft.
Në një ditë me deklarata dhe kundërdeklarata, Burnham këmbënguli: “Nuk mendoj se ka asnjë paqartësi. Marrëveshja është arritur”.
Britania ka ofruar uljen e tarifave, por jo deri në nivelin e atyre që paguajnë studentët vendas. Përmbushja e kërkesës së BE-së do t’i kushtonte Mbretërisë së Bashkuar qindra miliona paund në vit.
“Kjo është një marrëveshje shumë e mirë për Mbretërinë e Bashkuar, e cila po merr atë që kërkoi”, tha një diplomat i BE-së lidhur me marrëveshjen e së premtes. “Por për disa vende nuk ka asgjë për të fituar nga kjo marrëveshje. Ato kanë nevojë për uljen e tarifave universitare që marrëveshja të jetë e balancuar”, shtoi ai.
Sipas skemës për të rinjtë, e cila pritet të nisë në vitin 2030, secila palë do të ofrojë 100 mijë viza në vit për të rinjtë që dëshirojnë të punojnë dhe të studiojnë në vendet e njëra-tjetrës. Lidhja e sistemeve të tregtimit të emetimeve do të shmangte vendosjen e taksave kufitare për karbonin në të dy anët e Kanalit të La Manshit.
Të dyja palët u zotuan gjithashtu për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe në luftën kundër migracionit të parregullt.
Megjithatë, pati pak përparim lidhur me kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar për t’u përfshirë në politikat e reja “Made in Europe”, të cilat do t’i përjashtonin kompanitë britanike nga disa subvencione industriale dhe kontrata prokurimi, për shkak se vendi ndodhet jashtë tregut të vetëm të bllokut.
Burnham tha se javën e ardhshme do të prezantonte një projektligj historik, i cili do të mundësonte që ligjet e BE-së të kopjoheshin dhe të përfshiheshin drejtpërdrejt në legjislacionin britanik.
Marrëveshja ishte zhbllokuar një ditë më parë, pasi Franca zbuti kundërshtimin e saj ndaj dhënies së Britanisë së drejtën për të pasur një rol në “hartimin” e rregullave të reja të BE-së për standardet ushqimore, të cilat do të zbatohen edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Zyrtarët britanikë do të mund të marrin pjesë si vëzhgues në mbledhjet për zbatimin e këtyre rregullave, por nuk do të kenë të drejtë vote. Ata gjithashtu mund të ftohen në mbledhjet për përgatitjen e reagimit ndaj “emergjencave”, siç janë shpërthimet e sëmundjeve te kafshët.
Burnham mohoi që kjo të ishte një “gjethe fiku”, duke shtuar: “Në fakt, është një moment mjaft domethënës që ekspertët britanikë të rikthehen në tryezë”.
Por 18 muaj negociata rraskapitëse, të cilat përfunduan në orët e para të së premtes, kanë shuar dëshirën e vendeve anëtare të BE-së për marrëveshje të tjera të vogla, u thanë Financial Times katër diplomatë të BE-së.
Ata thanë se Burnham tani duhet të angazhohet për një negociatë të plotë mbi anëtarësimin në një bashkim doganor, në tregun e vetëm ose për rikthimin e plotë në BE.
“Britanikët duhet të na tregojnë se çfarë statusi dëshirojnë dhe më pas mund të punojmë për ta bërë të mundur”, tha njëri prej tyre.
“Është bezdisëse”, tha një diplomat i dytë, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar kërkonte të ishte “brenda dhe jashtë njëkohësisht”.