Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit.

“Fruthi, është një sëmundje shumë ngjitëse që shkaktohet nga një virus dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, madje edhe vdekje”, thuhet në këtë apel.


IKSHPK rikujton se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që shkaktohet nga një virus dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, madje edhe vdekje.

“Si përhapet? Përhapet lehtësisht përmes ajrit kur personi i infektuar kollitet ose teshtin.

Një person me fruth mund ta përhapë virusin edhe para shfaqjes së simptomave.

Shenjat kryesore: Temperaturë e lartë, kollë, rrjedhje e hundës, sy të skuqur dhe të përlotur, skuqje e lëkurës, e cila zakonisht fillon në fytyrë në formë të pikave (pas veshëve) dhe përhapet në trup.

Pse është i rrezikshëm? Fruthi mund të shkaktojë: pneumoni, encefalit, dehidrim, dëmtim të dëgjimit dhe verbim. Fëmijët nën 5 vjeç janë veçanërisht të rrezikuar nga komplikimet”.

Mbroni fëmijën tuaj, nënvizon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Vaksina MMR është mbrojtja më e mirë kundër fruthit. 1 dozë → mbi 90% mbrojtje, 2 doza → rreth 97–99% mbrojtje

Në Kosovë: Doza e parë e vaksinës MMR jepet në moshën 12 muajshe, doza e dytë e vaksinës MMR jepet në moshën 5–6 vjeç”, thuhet në këtë thirrje për vaksinim.