Pas më shumë se dy vitesh pa një firmë lobimi të kontraktuar në Shtetet e Bashkuara, Kosova ka rifilluar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Uashington me anë të një marrëveshjeje njëvjeçare me kompaninë amerikane “Ballard Partners”, e cila kap vlerën e 600 mijë dollarëve.
Ky angazhim vjen në një moment kur raportet me SHBA-në dhe përkrahja e Uashingtonit kanë rëndësi thelbësore për sigurinë dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Të lidhura
None found
Megjithatë, përveç pritshmërive që shoqërojnë këtë kontratë, mbetet e hapur pyetja nëse angazhimi i kompanisë do të shndërrohet në arritje konkrete diplomatike e politike apo do të kufizohet thjesht në përmirësimin e komunikimit me administratën amerikane.
Analistët politikë Faton Mehmeti dhe Milazim Maraj e cilësojnë rikthimin e lobimit si një veprim të rëndësishëm, por nënvizojnë se rezultatet do të varen edhe nga qartësia e objektivave dhe përfshirja e institucioneve kosovare.
Faton Mehmeti e sheh rikthimin e Kosovës në lobim në SHBA si një hap të domosdoshëm, por njëkohësisht edhe si një provë se vendi ka humbur kohë të çmuar në marrëdhëniet me aleatin strategjik.

Duke komentuar kontratën 600 mijë dollarëshe njëvjeçare me “Ballard Partners”, Mehmeti thekson se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes më shumë se dy vjet pa një angazhim të mirëfilltë lobues në kryeqytetin amerikan, sidomos në kushtet kur Serbia vijon të investojë për forcimin e pozitës së saj diplomatike.
“Rikthimi i Kosovës në lobim në Shtetet e Bashkuara është një hap i domosdoshëm, por njëkohësisht edhe një dëshmi se kemi humbur kohë të çmuar në raportet me aleatin tonë strategjik”, thotë ai për “Bota sot”.
Sipas tij, megjithatë, kontraktimi i një kompanie lobimi nuk përbën zgjidhje automatike për problemet që Kosova ka me SHBA-në. Lobimi mund të hapë dyer, të mundësojë takime dhe të krijojë kanale komunikimi, por nuk zëvendëson dot një politikë të jashtme të qartë dhe një qeverisje që ndërton besim me partnerët ndërkombëtarë.
Ai çmon se kontrata me “Ballard Partners” mund të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit me administratën amerikane, por paralajmëron se nuk duhen ngritur pritshmëri që një kompani private t’i zgjidhë vetvetiu çështjet politike.
“Marrëdhëniet strategjike nuk riparohen vetëm me para, por me vendime politike, koordinim dhe respekt të ndërsjellë”, nënvizon Mehmeti.
Ai mendon se prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës duhet të jetë rifitimi i besimit të plotë të Uashingtonit. Sipas tij, angazhimi diplomatik duhet të përqendrohet edhe në fuqizimin e partneritetit në fushën e sigurisë, sigurimin e mbështetjes amerikane për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, avancimin e njohjeve të reja dhe kundërshtimin e fushatës diplomatike të Serbisë.
Një aspekt tjetër që Mehmeti e konsideron të rëndësishëm është mënyra se si do të matet suksesi i kontratës prej 600 mijë dollarësh. Ai kërkon që publiku të njoftohet me rezultatet konkrete të këtij investimi dhe jo thjesht me numrin e takimeve apo materialeve të shpërndara në Uashington.
“Nuk mjafton të na thuhet se janë zhvilluar dhjetëra takime apo se janë shpërndarë materiale në Uashington. Qytetarët duhet të dinë se çfarë rezultatesh konkrete ka prodhuar investimi prej 600 mijë dollarësh”, deklaron analisti.
Në fund, Mehmeti thekson se Kosovës i duhet një diplomaci shtetërore e qëndrueshme dhe jo vetëm angazhim lobues në momentet kur has vështirësi në raportet ndërkombëtare.
“Kosova ka nevojë për më pak propagandë politike dhe më shumë diplomaci shtetërore. Amerika nuk është një adresë ku shkohet vetëm kur kemi probleme; ajo është partneri strategjik me të cilin duhet të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme, pavarësisht se kush është në pushtet”, përfundon ai.
Ndërkaq, analisti Milazim Maraj e cilëson rikthimin e Kosovës te angazhimi për fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-në, përmes kontratës me “Ballard Partners”, si një zhvillim pozitiv, por të vonuar.

Sipas tij, mungesa e një kompanie lobimi dhe përkrahjeje në SHBA për më shumë se dy vjet ka qenë një hendikep për vendin, veçanërisht në një periudhë me sfida të shumta politike, ekonomike e diplomatike.
Maraj thekson se “Ballard Partners” ka lidhje të afërta me Partinë Republikane dhe ndikim në rrethet politike amerikane, çka mund ta bëjë këtë angazhim me peshë për interesat e Kosovës.
“Çmimi i kontratës është natyrisht i lartë, por kjo kompensohet nëse kontrata është me interes”, shprehet ai, duke shtuar se marrëveshja është shpresëdhënëse, por rezultatet do të varen nga përmbajtja e saj dhe objektivat konkrete të përcaktuara mes palëve.
Analisti vëren se deri tani nuk është bërë publike se çfarë kërkesash ka paraqitur Kosova dhe çfarë detyrimesh ka marrë përsipër kompania amerikane për përmbushjen e tyre. Sipas tij, pikërisht përmbajtja e kontratës do të tregojë nëse ky angazhim do të sjellë përparim konkret në marrëdhëniet dypalëshe.
Duke folur për raportet e deritanishme me Uashingtonin, Maraj vlerëson se qasja e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ndaj SHBA-së gjatë më shumë se dy viteve të fundit ka qenë zhgënjyese, si në aspektin moral, ashtu edhe në atë strategjik. Për këtë arsye, ai e konsideron rikthimin e Qeverisë drejt SHBA-së si një korrigjim të rëndësishëm dhe, në të njëjtën kohë, si pranim të gabimeve në politikën e jashtme.
Ai kujton edhe deklaratën e mëparshme të kryeministrit Kurti në Kuvend, sipas së cilës SHBA-ja e mbështet Kosovën vetëm për shkak se shqiptarët janë populli më antirus. Maraj e quan këtë pohim të gabuar, duke theksuar se përkrahja amerikane ndaj Kosovës ka qenë shumë më e gjerë dhe ka përfshirë mbrojtjen e popullit shqiptar, shpëtimin e tij dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.
Megjithatë, ai shpreh pritshmëri se angazhimi i “Ballard Partners”, duke marrë parasysh përvojën dhe afërsinë e kompanisë me presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane, mund të ndikojë në përmirësimin e raporteve me SHBA-në.
Maraj thekson se Kosova has pengesa në rrugën drejt integrimit në institucionet ndërkombëtare, ndërsa ndikimi diplomatik amerikan në këtë proces është i rëndësishëm. Sipas tij, forcimi i pranisë amerikane përmes investimeve dhe projekteve me interes të përbashkët do të mund të kontribuonte edhe në sigurinë afatgjatë të vendit.
“SHBA mbron interesat dhe investimet e veta”, vlerëson Maraj, duke argumentuar se Kosova duhet të shndërrohet në një zonë me interes të veçantë amerikan në Gadishullin Ilirik dhe në raport me Bashkimin Evropian, ashtu siç e përshkruan ai pozitën e Izraelit në rajonin arab.
Në analizën e tij, Maraj ndalet edhe te ndikimi i zhvillimeve gjeopolitike në Kosovë dhe Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e Rusisë, Serbisë dhe aleatëve të tyre. Ai konsideron se mungesa e investimeve perëndimore ndikon edhe në zhvillimet demografike të Kosovës, ndërsa stabiliteti politik është një nga kushtet kryesore për tërheqjen e investimeve nga Perëndimi.
Në fund, analisti thekson se zhvillimi ekonomik, fuqizimi politik dhe rritja e peshës diplomatike të Kosovës janë procese që ecin më ngadalë pa përkrahjen amerikane. Ai veçon investimet në energji me çmime të përballueshme dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë, veçanërisht në një kohë kur Serbia po armatoset dhe kur, sipas tij, ndikimi i Kinës dhe Rusisë në rajon mbetet shqetësues.
“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë jetike, andaj forcimi dhe zgjerimi i tyre janë detyrë dhe obligim i çdo qeverie në Kosovë”, përfundon Maraj.






