Forumi i Parë Mediatik Shqiptaro-Kinez bashkoi përfaqësues të mediave të të dy vendeve, me fokus komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e përmbajtjeve dhe njohjen më të mirë të realiteteve përkatëse.
Përfaqësues të mediave shqiptare dhe kineze u mblodhën në Tiranë në Forumin e Parë Mediatik Shqiptaro-Kinez, një nismë që synon të krijojë ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve.
Forumi u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri dhe Agjencia e Lajmeve Xinhua, me Argumentum.al si partner mediatik. Në takim morën pjesë përfaqësues të Xinhua News Agency dhe China Media Group (CMG), si dhe gazetarë e drejtues të mediave shqiptare.
Në qendër të diskutimeve ishte roli i medias në njohjen reciproke të shoqërive, mënyra se si Shqipëria dhe Kina pasqyrohen në hapësirat mediatike të njëra-tjetrës, si dhe mundësitë për të ndërtuar marrëdhënie më të drejtpërdrejta ndërmjet redaksive dhe gazetarëve.
Duke hapur takimin, Marjana Doda, themeluese dhe kryeredaktore e Argumentum.al, theksoi se komunikimi ndërmjet mediave nuk duhet të kufizohet vetëm në shkëmbimin e lajmeve dhe informacionit. Sipas saj, ai mund të shërbejë edhe si një instrument për ndërtimin e urave mes shoqërive, zgjerimin e mirëkuptimit dhe përcjelljen e perspektivave më të plota mbi vendet dhe kulturat e njëri-tjetrit.
Doda vuri në dukje rëndësinë e dialogut ndërkombëtar dhe të bashkëpunimit profesional në një periudhë kur zhvillimet globale janë gjithnjë e më të ndërlidhura. Ajo theksoi gjithashtu se iniciativa të tilla mund të krijojnë mundësi për kontakte të qëndrueshme, projekte të përbashkëta dhe shkëmbim përvojash mes mediave shqiptare dhe kineze.
Ambasadorja Pang Chunxue: Media mund të forcojë miqësinë dhe mirëkuptimin
Në fjalën e saj, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cilësoi median si një urë komunikimi mes dy vendeve dhe popujve. Duke iu referuar 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Kinë, ajo rikujtoi historinë e shkëmbimeve dypalëshe dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, kulturën dhe arsimin.
Tri propozime për bashkëpunimin mediatik
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, ambasadorja ia kushtoi perspektivave të bashkëpunimit ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve, duke paraqitur tri propozime konkrete.
Së pari, ajo theksoi nevojën për të përcjellë më shumë histori mbi miqësinë shqiptaro-kineze, duke përfshirë jo vetëm të kaluarën dhe rezultatet e bashkëpunimit dypalësh, por edhe përvojat dhe shkëmbimet e përditshme mes qytetarëve të të dy vendeve.
Së dyti, Pang Chunxue nënvizoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet organizatave mediatike, përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, trajnimit të gazetarëve, raportimeve të përbashkëta dhe formave të tjera të bashkëpunimit profesional.
Së treti, ajo vuri theksin te rëndësia e raportimit objektiv dhe të balancuar, duke u shprehur se gazetarët duhet të ruajnë mendje të hapur, kureshtje dhe përgjegjësi profesionale, duke u mbështetur te faktet.
“Shpresojmë që pasqyrimi mediatik i vendeve të njëri-tjetrit të jetë sa më objektiv dhe i balancuar, në mënyrë që të thellohet mirëkuptimi i ndërsjellë mes dy popujve”, theksoi ambasadorja.
Ajo nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përmbajtjeve, trajnimit të gazetarëve dhe organizimit të raportimeve të përbashkëta, duke shprehur pritshmërinë që forumi të kontribuojë në zgjerimin e njohjes reciproke mes dy shoqërive.
Pas fjalës së ambasadores, përfaqësuesit e Xinhua News Agency dhe China Media Group (CMG), Chen Gang dhe Yang Mingjiao, prezantuan profilin, përvojën dhe shtrirjen ndërkombëtare të dy organizatave mediatike.
Xinhua News Agency – 95 vjet informim dhe bashkëpunim ndërkombëtar
Chen Gang, Shef i Byrosë së Agjencisë së Lajmeve Xinhua në Athinë, prezantoi historikun, veprimtarinë dhe rrjetin ndërkombëtar të agjencisë, e cila u themelua në vitin 1931 dhe këtë nëntor shënon 95-vjetorin e krijimit.
Gjatë prezantimit, përfaqësuesi i Xinhua-s u ndal te roli i medias në një mjedis informativ gjithnjë e më kompleks dhe në ndryshim të shpejtë, duke theksuar rëndësinë e informimit të bazuar në të vërtetën, objektivitetin dhe arsyetimin.
Chen bëri të ditur se Xinhua synon të zgjerojë bashkëpunimin me organizatat mediatike shqiptare, duke vënë në dispozicion bazat e saj të të dhënave me lajme, fotografi dhe materiale multimediale nga Kina dhe vende të tjera të botës. Ai shprehu interesin për shkëmbimin e përmbajtjeve informative, sigurimin e raportimeve nga Shqipëria, realizimin e intervistave dhe kërkimeve të përbashkëta, si dhe prodhimin e materialeve mediatike me interes për audiencat e të dy vendeve.
Sipas Chen, përdorimi i teknologjive digjitale dhe platformave të mediave sociale krijon mundësi të reja për bashkëpunim, përmes shkëmbimit të informacionit dhe prodhimit të përbashkët të raportimeve që pasqyrojnë zhvillimet, kulturën, traditat dhe jetën e përditshme në Kinë dhe Shqipëri.
China Media Group – Një rrjet mediatik me shtrirje globale
Në vijim, Yang Mingjiao prezantoi veprimtarinë e China Media Group (CMG), grupit mediatik të themeluar në vitin 2018, duke u ndalur te struktura organizative, rrjeti ndërkombëtar i transmetimit, kapacitetet e prodhimit audioviziv dhe zhvillimet teknologjike.
Sipas të dhënave të paraqitura nga përfaqësuesja e CMG-së, grupi operon 51 kanale televizive, 22 frekuenca radiofonike dhe tri faqe lajmesh, me përmbajtje në 85 gjuhë. Njëmbëdhjetë kanale televizive ndërkombëtare kanë mbulim satelitor në 208 vende dhe rajone, ndërsa CMG raporton mbi 680 milionë përdorues jashtë Kinës.
Yang Mingjiao prezantoi gjithashtu rrjetin ndërkombëtar të mbledhjes së lajmeve, i mbështetur në tetë seli rajonale jashtë Kinës, si dhe aktivitetin e agjencisë ndërkombëtare të videolajmeve CCTV+, e cila ofron shërbime për më shumë se 5.000 transmetues dhe platforma digjitale në 158 vende dhe rajone.
Një tjetër drejtim i prezantimit ishte zhvillimi teknologjik i grupit, veçanërisht në fushën e integrimit të teknologjive 5G, transmetimit me cilësi të lartë 4K/8K dhe inteligjencës artificiale, të cilat po përdoren në proceset e prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes mediatike.
Në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar, prezantimi evidentoi pjesëmarrjen e CMG-së në organizata të rëndësishme të transmetimit, si Unioni i Transmetuesve të Azi-Paqësorit dhe Unioni Evropian i Transmetimeve, si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me organizata mediatike në vende të ndryshme. Këto partneritete përfshijnë shkëmbimin e lajmeve dhe përmbajtjeve audiovizive, bashkëprodhimin e programeve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale e teknologjike.
Kina në median shqiptare dhe Shqipëria në median kineze
Një nga sesionet kryesore të forumit iu kushtua perceptimit të Kinës në median shqiptare dhe pasqyrimit të Shqipërisë në median kineze.
Kryeredaktori i Albania Daily News, Alqi Koçiko, u ndal te ndryshimi i imazhit të Kinës në median shqiptare gjatë 35 viteve të fundit, duke vënë në dukje transformimin e saj nga një partner historik në një fuqi me peshë të konsiderueshme ekonomike, teknologjike dhe politike në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se pasqyrimi mediatik i Kinës në Shqipëri karakterizohet nga këndvështrime të ndryshme, ku krahas raportimit mbi arritjet ekonomike dhe teknologjike shfaqen edhe narrativa të ndikuara nga debatet politike dhe gjeopolitike ndërkombëtare.
Duke nënvizuar rëndësinë e një raportimi objektiv dhe të mbështetur në fakte, Koçiko theksoi se mediat duhet të ofrojnë informacion të verifikuar, kontekst dhe një gamë më të gjerë burimesh, në mënyrë që publiku të krijojë gjykimin e vet.
“Çështja kryesore nuk është nëse Kina duhet të paraqitet pozitivisht apo negativisht, por nëse audiencat në të dy vendet kanë akses në informacion mjaftueshëm të saktë për të formuar gjykimet e tyre”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, ai sugjeroi që mediat shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje shoqërisë, kulturës, arsimit, kërkimit shkencor dhe jetës së përditshme në Kinë, ndërsa mediat kineze të ofrojnë një pasqyrim më të gjerë të realitetit shqiptar, përtej historisë dhe marrëdhënieve zyrtare dypalëshe.
Koçiko evidentoi gjithashtu nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin praktik mes mediave të të dy vendeve, përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, kontakteve profesionale dhe mundësive për raportime të përbashkëta.
Shkëmbimi i përvojave dhe perspektiva e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë
Në sesionin kushtuar bashkëpunimit mediatik dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, gazetarët shqiptarë ndanë eksperiencat e tyre nga vizitat dhe qëndrimet në Kinë, duke sjellë perspektiva mbi zhvillimin e vendit, sistemin mediatik dhe transformimin teknologjik.
Gazetari Borjon Borakaj ndau përvojën e tij disa mujore në Kinë, duke sjellë një dëshmi personale mbi njohjen nga afër të vendit dhe zhvillimeve të tij. Ai përcolli përvojën e tij mbi aspekte të ndryshme të jetës mediatike, kulturore dhe shoqërore, duke nënvizuar vlerën e shkëmbimeve të drejtpërdrejta në krijimin e një kuptimi më të plotë të realitetit kinez.
Ndërsa Eda Merepeza, gazetare e China Media Group në Shqipëri, u ndal te prania e mediave kineze në gjuhën shqipe, përmes CGTN, Radio Ejani dhe Radio e Jashtme e Kinës, të cilat përcjellin informacione dhe zhvillime nga Kina dhe Shqipëria.
Ajo vuri në dukje se Radio e Jashtme e Kinës ka gazetarë të përgatitur në gjuhën shqipe, të cilët, duke qenë të pranishëm në Kinë, kanë mundësi të raportojnë drejtpërdrejt mbi zhvillime të ndryshme me rëndësi ndërkombëtare. Si shembull, ajo përmendi Samitin e APEC-ut, duke theksuar se këto kapacitete dhe kontakte mediatike mund të shërbejnë si një mundësi bashkëpunimi për mediat shqiptare.
Sipas saj, edhe në rastet kur mediat shqiptare nuk kanë mundësi të dërgojnë gazetarët e tyre në Kinë për të ndjekur nga afër ngjarje të rëndësishme, ato mund të shfrytëzojnë rrjetin e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të mediave kineze në gjuhën shqipe për të zgjeruar mbulimin e zhvillimeve në Kinë dhe për të pasuruar informacionin për publikun shqiptar.
Sidonja Manushi, gazetare e Tirana Times, solli këndvështrimin e saj mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet mediave shqiptare dhe kineze, duke u ndalur te rëndësia e kontakteve të drejtpërdrejta mes gazetarëve dhe redaksive.
Edhe Jona Hasija ndau mendimet e saj mbi perspektivat e bashkëpunimit mediatik, duke vënë në dukje rëndësinë e krijimit të lidhjeve më të drejtpërdrejta ndërmjet mediave të të dy vendeve. Shkëmbimi i përvojave, njohja e punës së redaksive dhe mundësitë për bashkëpunim konkret u evidentuan si elemente që mund të ndihmojnë në zgjerimin e komunikimit dhe të raportimit mbi zhvillimet në Shqipëri dhe Kinë.
Leonard Mitro: Bashkëpunimi duhet të krijojë mundësi reale për prodhime të përbashkëta
Në sesionin e tretë, kushtuar perspektivave mediatike dhe mundësive të bashkëpunimit, Leonard Mitro, kryeredaktor i lajmeve në MCN TV, solli këndvështrimin e tij mbi historikun e bashkëpunimit mediatik mes Shqipërisë dhe Kinës dhe perspektivat për zhvillimin e partneriteteve të reja profesionale.
Duke iu referuar historikut të marrëdhënieve mes dy vendeve, ai kujtoi rolin që media ka luajtur ndër vite në njohjen e ndërsjellë, duke përmendur krijimin e Shërbimit Shqip të Radio Ndërkombëtare të Kinës në vitin 1969 dhe zhvillimin e mëvonshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mediatike.
Mitro evidentoi bashkëpunimin ndërmjet RTSH-së dhe ATSH-së nga pala shqiptare dhe China Media Group dhe Agjencisë Xinhua nga pala kineze, duke u ndalur te shkëmbimi i përmbajtjeve, trajnimet profesionale dhe shkëmbimi i përvojave mes gazetarëve.
Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi perspektivës së bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përkthimit automatik, gazetarisë digjitale dhe verifikimit të informacionit. Ai përmendi gjithashtu artin, kulturën dhe sportin si fusha që mund të krijojnë hapësira të reja për prodhime të përbashkëta, dokumentarë dhe programe televizive.
Duke evidentuar edhe sfidat e këtij bashkëpunimi, veçanërisht transparencën dhe pabarazinë në shkëmbimin e përmbajtjeve, Mitro theksoi rëndësinë e respektimit të pavarësisë editoriale dhe reciprocitetit.
Sipas tij, bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në transmetimin e përmbajtjeve kineze në Shqipëri, por duhet të krijojë mundësi reale për prodhime të përbashkëta dhe për prezantimin e përmbajtjeve shqiptare për publikun kinez.
Nga dialogu te partneritetet konkrete
Forumi evidentoi disa fusha ku bashkëpunimi mes mediave shqiptare dhe kineze mund të marrë formë konkrete, shkëmbimi i lajmeve dhe materialeve audiovizive, intervistat dhe reportazhet e përbashkëta, trajnimet profesionale, vizitat e gazetarëve dhe projektet e përbashkëta editoriale.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte ndikimi i transformimit digjital dhe inteligjencës artificiale në gazetarinë bashkëkohore, si dhe nevoja për të ndarë përvoja mbi përdorimin e teknologjive të reja dhe verifikimin e informacionit.
Në këtë proces, respektimi i standardeve profesionale, transparenca, reciprociteti dhe pavarësia editoriale mbeten elemente thelbësore për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet redaksive.
Në përmbyllje të forumit, Marjana Doda falënderoi ambasadoren e Kinës, Pang Chunxue, Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, përfaqësuesit e mediave kineze, gazetarët shqiptarë dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin në këtë takim.
Ajo e cilësoi forumin si një mundësi për shkëmbimin e perspektivave, njohjen më të mirë të punës së mediave të të dy vendeve dhe identifikimin e interesave të përbashkëta, duke shprehur shpresën se takimi nuk do të mbetet një aktivitet i veçuar, por do të shërbejë si pikënisje për një partneritet më të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Forumi i Parë Mediatik Shqipëri–Kinë shënon kështu një hapësirë të re komunikimi ndërmjet mediave të të dy vendeve. Sfida tashmë është që dialogu i nisur në Tiranë të vijojë përmes kontakteve të drejtpërdrejta, shkëmbimeve profesionale dhe projekteve konkrete, duke i dhënë bashkëpunimit mediatik një dimension të qëndrueshëm.
