Patatet në Hënë mund të kultivohen me sukses, sipas një studimi të mbështetur nga NASA dhe të publikuar në revistën shkencore “npj Microgravity”. Kërkimi u drejtua nga studiues të Universitetit Shtetëror të Oregonit. Ata arritën të rritin patate në një përzierje që imiton tokën hënore, shkruan Rritja ekonomike në Shqipëri zbret në më të ulëtën në rajon pa taksat neto dhe administratën publike.
Sipas studimit, bima prodhon ushqim me vlera ushqyese nëse toka pasurohet me lëndë organike. Kështu, patatet mund të bëhen një nga ushqimet kryesore të astronautëve në Hënë. Eksperimenti u krye me varietetin Modoc, një patate me lëkurë të kuqe dhe tul të bardhë që piqet relativisht shpejt.
Studiuesit përdorën një material që imiton regolitin hënor, shtresën e pluhurit dhe shkëmbinjve të grimcuar që mbulon sipërfaqen e Hënës. Kjo tokë natyrore nuk përmban lëndë organike dhe është e varfër në elementë ushqyes. Ndaj nuk mund të mbështesë vetë rritjen e bimëve.
Për ta bërë të përshtatshme për kultivim, shkencëtarët shtuan vermikompost, një pleh natyror që krijohet nga përpunimi i mbetjeve organike prej krimbave të tokës. Rezultatet treguan se patatet nisën të zhvillonin rrënjë dhe zhardhokë edhe me vetëm 5% vermikompost. Në përzierjen me 30% lëndë organike, prodhimi ishte i njëjtë me atë të patateve të kultivuara në tokën e zakonshme të Tokës.
Një tjetër problem i tokës hënore është prania e metaleve të rënda, të cilat mund të përthithen nga bimët. Sipas studiuesve, lënda organike ndihmon në kufizimin e përthithjes së tyre. Patatet e eksperimentit nuk janë provuar ende për konsum, pasi janë përdorur për analiza laboratorike.
Megjithatë, studiuesit po kryejnë prova të tjera me vazo më të mëdha, për të siguruar prodhim në përmasa të zakonshme. Zbulimi shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të bazave të qëndrueshme njerëzore në Hënë. Atje, prodhimi i ushqimit do të ulte varësinë nga furnizimet që duhet të transportohen nga Toka.
