Qeveria ka miratuar një fond prej rreth 319.4 milionë lekësh për riforcimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë. Financimi do të përdoret për banesat që kanë pësuar dëme të rënda, por që nuk kanë nevojë të shemben dhe të ndërtohen nga e para.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, fondi do të mbulojë punimet e rikonstruksionit dhe forcimit të banesave të klasifikuara në shkallën e dëmit DS4, bazuar në akt-ekspertizat e thelluara.
Shumën më të madhe do ta përfitojë Bashkia Vorë, së cilës i transferohen rreth 221.9 milionë lekë. Për Bashkinë Krujë janë parashikuar rreth 77.1 milionë lekë, ndërsa Bashkia Shijak do të përfitojë rreth 20.4 milionë lekë.
Efekti financiar do të përballohet nga fondi i rindërtimit i miratuar për vitin 2026. Shumat do t’u kalojnë tre bashkive në formën e transfertës së pakushtëzuar, për të financuar ndërhyrjet në banesat që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

