Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Industri Lajmet Kryesore Nga Vendi

Dilema e madhe e industrisë dhe përpunimit agroushqimor

Share Share Icon

Në vitet 2010-2014, sipërmarrës nga sektori i ndërtimi dhe aktivitete tregtare tentuan bujqësinë dhe agroindustrinë. Ishte një kohë që ndërtimi u bllokua dhe kishte kapitale të lira.

Ata hapën ferma të mëdha, duke tentuar të mbyllin ciklin deri te prodhimi i produkteve të përpunimit të qumështit dhe tregtimi në rrjetet e pakicës, apo të mbillnin produkte të veçanta duke synuar si treg eksportin.

Shumë shpejt këto investime rezultuan në zhgënjim. Fermat e mëdha që u krijuan nga biznese që nuk kishin lidhje organike me bujqësinë dhe blegtorinë falimentuan, për shkak të kostove të larta nga mungesa e ekonomisë së shkallës.

Nga 16 fermat e mëdha të gjedhit që u krijuan në vitin 2014, pjesa më e madhe u shitën apo falimentuan.

Pamundësia për të mbyllur zinxhirin që nga lënda e parë e ushqimit për bagëtinë, që merrte deri në 80% të të ardhurave për blerjen e bazë ushqimore, copëzimi i tokës, problematikat e tjera me sigurinë ushqimore, etj., e bënë këtë biznes një kokëçarje të vërtetë për ndërtuesit e tregtuesit.

Viti 2016 erdhi dhe sipërmarrësit nga qyteti iu kthyen asaj që dinin të bënin më mirë: ndërtimit, që sjell fitime të shpejta e të larta. Investimet në industri dhe agroindustri janë të pakta dhe ata që i kanë hyrë kësaj nisme shpesh kanë shprehur pendesë. Shqipëria është sot unike për modelin ekonomik, duke qenë e vetmja në Europë ku pesha e ndërtimit (12.6%) është më e madhe se ajo e industrisë (10.1%).

Në rajon këto raporte janë të përmbysur me industrisë që zë rreth 17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me përjashtim të Malit të Zi që është i orientuar nga shërbimi dhe ndërtimin që nuk i kalon 7.8% në Kosovë, ndërsa në Mal të Zi, pesha është vetëm 3.8%.

Në Bashkimin Europian, industria kontribuon në 17% të ekonomisë dhe ndërtimi në vetëm 5%.

 

Burimi: Eurostat

 

Shoqëritë me kapital vendas të industrisë përpunuese janë më të “diskriminuarat” në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve ka vetëm 6 sipërmarrje vendase që kanë aktivitet në industrinë përpunuese.

Dy prej tyre kanë si aktivitet prodhimin e ujit të ambalazhuar, që po rezulton një prej sipërmarrjeve më fitimprurëse për shkak të mospasjes së ujit të pijshëm në çezma dhe vitet e fundit shtimit të turistëve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, sasia e ujit të ambalazhuar të prodhuar në vend arriti në 345,1 milionë litra, me rritje të fortë prej 73%, duke e çuar prodhimin në nivelin më të lartë të 12 viteve të fundit.

Prodhimi i miellit është një sektor tjetër që po sjell fitime, edhe ky i nxitur nga turizmi, së bashku me industrinë e përpunimit të qumështit që vazhdon të rezistojnë, por duke pasur çmime më të larta se vendet e rajonit.

Kompanitë e përpunimit të produkteve të peshkut, ndonëse vijojnë në listë, kanë parë rënie të fitimeve dy vitet e fundit.

Kompanitë në segmentin e industrisë së prodhimit të këpucëve, që kishte kaluar një hap më lart në zinxhirin e vlerës, prej disa vitesh kanë dalë jo vetëm nga lista e fitimeve, por dhe e të ardhurave. Ato nuk kanë arritur të transferojnë kostot shtesë në çmime, për shkak të kontratave fikse dhe presionit të lartë për çmime konkurruese nga porositësit ndërkombëtarë.

Shumë prej këtyre bizneseve u detyruan të ulin fitimet, madje edhe të deklarojnë humbje, duke rrezikuar vijimësinë e aktivitetit të tyre.

Edhe industria automotive, e cila viteve të fundit kishte nisur të gjeneronte investime të reja dhe kthime premtuese, raportoi humbje apo fitime minimale edhe në vitin 2025, kryesisht si pasojë e dobësimit të Euros, rritjes së kostove të fuqisë punëtore dhe ngadalësimit global.

Për më tepër, dobësimi i Euros i ka goditur jo vetëm eksportuesit, por edhe prodhuesit që furnizojnë tregun vendas. Mallrat e importit janë bërë më të lira, duke rritur konkurrencën dhe duke ulur marzhet e fitimit për prodhuesit vendas. Në një treg të vogël si Shqipëria, ku kërkesa e brendshme është e kufizuar, edhe planet e përpunuesve për zgjerim në tregjet e huaja pengohen nga kursi i pafavorshëm i këmbimit.

Edhe rritja e pagave po e zbeh avantazhin tradicional të kostos së ulët që kishte industria shqiptare, pa siguruar prioritet tjetër konkurrues, pikërisht për shkak të mungesës së investimit në teknologji.

Ajo po ndodh jo si rezultat i përmirësimit të produktivitetit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, që po largohet drejt emigracionit dhe vendimeve të qeverisë për pagën minimale, që arriti në 50 mijë lekë në vitin 2026. Edhe kjo prirje po e bën më të vështirë për kompanitë të ruajnë konkurrueshmërinë, veçanërisht për sektorët me bazë eksporti.

Pasojat po ndihen prej të paktën dy vitesh. Të dhënat e INSTAT-it bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) pësoi rënie me 3.72% në vitin 2025, për të dytin vit radhazi.

Industria përpunuese u reduktua me 1.14%, nga 0.86% që ishte tkurrja në vitin 2024 dhe në territor negativ për të tretin vit radhazi, për herë të parë që kur raportohen të dhënat, nga viti 1997.

Prej dy vitesh, industria nuk po ngre kokë, ndërsa ajo përpunuese është që nga viti 2023 në territor negativ.

Të dhënat e INSTAT-it bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) pësoi rënie me 3.72% në vitin 2025, për të dytin vit radhazi.

Industria përpunuese u reduktua me 1.14%, nga 0.86% që ishte tkurrja në vitin 2024 dhe në tendencë negative për të tretin vit radhazi, për herë të parë që kur raportohen të dhënat, nga viti 1997.

Përtej madhësisë, kontributi është shumë më i rëndësishëm në punësim. Vetëm industria përpunuese (përjashtuar energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, që janë kryesisht shtetërore) kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024 (viti i fundit kur raportohen të dhënat), duke qenë punëdhënësi i tretë më i madh në vend, pas tregtisë e shërbimeve me dy të parat ku mbizotërojnë të vetëpunësuarit.

Rënia e vazhdueshme e industrisë po reflektohet dhe në punësim. Në krahasim me vitin 2022, numri i të punësuarve në sektor është tkurrur me gati 10 mijë persona, me rënie 9%.

Arsyet e krizës së industrisë përpunuese janë të shumta dhe lidhen me kostot e larta, mungesën e konkurrueshmërisë dhe pengesat strukturore që kufizojnë zgjerimin e aktivitetit.

Industria agroushqimore vuan nga mungesa e furnizimit me lëndë të para nga bujqësia dhe blegtoria vendase, duke u detyruar të mbështetet tek importet, që shtojnë kostot e transportit dhe tarifave doganore.

Mospërputhja e standardeve dhe legjislacionit të sigurisë ushqimore me kërkesat e BE-së kufizon eksportet e disa kategorive të produkteve, duke i detyruar përpunuesit të mbështeten te një treg i vogël vendas. Kjo e bën më të vështirë realizimin e investimeve në teknologji dhe arritjen e ekonomisë së shkallës.

Dobësimi i euros ka ulur të ardhurat në lekë të eksportuesve dhe ka forcuar konkurrencën e produkteve të importuara në tregun vendas. Kontratat me çmime fikse kufizojnë mundësinë e kompanive për të kompensuar rritjen e kostove, ndërsa përdorimi i lartë i euros në transaksione shton ekspozimin ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Problemet thellohen nga informaliteti, konkurrenca e pandershme dhe mungesa e politikave mbështetëse për investimet në teknologji dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar.

Edhe përafrimi me standardet europiane kërkon shpenzime të konsiderueshme për modernizim, digjitalizim dhe certifikim, që në mungesë të mbështetjes rrezikojnë të rëndojnë mbi vetë bizneset.

Ndërkohë, rritja e konsumit nga turizmi nuk është shndërruar në një mundësi të mjaftueshme për prodhuesit vendas të ushqimeve, pasi një pjesë e kërkesës shtesë është mbuluar nga importet.

Si rrjedhojë, disa kompani përpunuese po e zhvendosin aktivitetin drejt përdorimit të lëndëve të para të importuara, ndërsa investimet e reja në industri mbeten të kufizuara.

 

Burimi: INSTAT

 

Sipërmarrjet me fitime më të larta në industri, dominon uji

“E.H.W”, një prej kompanive më të mëdha përpunuese në vend, që i raporton të dhënat prej disa vitesh si grup (përfshirë aktivitetin e përpunimit të mishit dhe prodhimit të ujit dhe të zinxhirëve të supermarketeve), raportoi fitime prej 1.5 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje 18% në raport me një vit më parë.

Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama” dhe supermarketet (ajo zotëron 55% të aksioneve të shoqërisë “Conad Albania”). Gati gjysma e fitimeve vijnë nga rrjeti i tregtisë me pakicë të supermarketeve, “Conad Albania”, rreth 753 milionë lekë.

Pas saj fitimet më larta i sjell “Qafshtama”, me 435 milionë lekë, me rritje 53% në krahasim me vitin e mëparshëm. Të ardhurat e grupit ishin 8.7 miliardë lekë, me rritje rreth 11%. Norma e fitimit ishte 17.3%.

 

 

“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral, është në fakt sipërmarrësja nga sektori përpunuese me fitimet më të mëdha në vend. Kompania raportoi të ardhura prej 4.7 miliardë lekësh në vitin 2025, me rritje 5.5%. Fitimi ishte 1 miliard lekë, me zgjerim 4.5%. Norma e fitimit ishte 22%.

Thanas Siveri, administrator i “Lajthiza Invest”, thotë se rritja është e pranishme si te konsumatorët familjarë, ashtu edhe te bizneset. Sipas tij, prodhimi është mbështetur edhe nga investimet e reja dhe zgjerimi i gamës së produkteve, përfshirë produkte të reja me ambalazhim PET të riciklueshëm.

Një treg i rëndësishëm janë dhe eksportet. Në 2026-n, eksportet e operatorit janë dyfishuar. Kompania është e pranishme në tregjet si Zvicër, SHBA, Britania e Madhe, Tajvan, Francë, Maltë si dhe në vendet e rajonit, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.

Z, Siveri thotë se te prodhuesit e ujit, këtë vit është rikthyer problemi i shtimit të kostove nga rritja e çmimit të naftës, e cila po amortizohet nga kompania, duke mos ndryshuar çmimet e shitjes me pakicë.

“Coca Cola” është një ndër sipërmarrjet më të mëdha në industrinë përpunuese në vend, me aktivitet të qëndrueshëm. Prodhuesi i pijeve freskuese “rriti të ardhurat me 3.4%, në 6.1 miliardë lekë. Fitimi ishte 978 milionë lekë, pothuajse në nivelet e vitit të mëparshëm, me një normë prej 16%.

Sipas të dhënave të detajuara në raportin vjetor të vitit 2025, “Coca Cola” vijoi të gjeneronte pjesën më të madhe të të ardhurave, me rreth 53.5% të totalit, e ndjekur nga “Fanta” me 34.9%, “Schweppes” me 3.7% dhe “Sprite”, me 2.9%. Produktet e tjera përbënin rreth 5% të të ardhurave.

“Coral” mbetet sipërmarrja më e madhe përpunuese e peshkut në vend. Të ardhurat në vitin 2025 ishin 2.5 miliardë lekë, me rënie 11.5% me bazë vjetore. Ky është viti i tretë radhazi me tkurrje. Fitimet ishin 250 milionë lekë, me tkurrje të lehtë nga viti i mëparshëm, por më të ulëta se nivelet e 2021-2023, kur i kalonin 300 milionë lekët.

Në vitin 2025, aktiviteti i shoqërisë u zhvillua në një mjedis të karakterizuar nga rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, sipas raportit vjetor.

Shoqëria “Coral” sh.p.k., e themeluar në vitin 1994, ushtron aktivitet në peshkim, akuakulturë, përpunim, paketim, magazinim, tregtim dhe eksport të peshkut dhe produkteve të tjera të detit.

Industria e përpunimit të qumështit, pavarësisht vështirësive me informalitetin, mungesën e lëndës së parë dhe ekonomisë së shkallës, fermat e copëzuara apo dhe politikat e paqëndrueshme fiskale, po njeh rritje të të ardhurave dhe fitimeve.

Sektori po tenton të shkojë drejt ekonomisë së shkallës. Prodhimi i qumështit vendas vijon më tepër të jetë i përqendruar te fermat e mëdha dhe të organizuara që po zgjerojnë kapacitetet, ndërsa numri i fermave të vogla po pakësohet.

“Erzeni” sh.p.k., fabrika më e madhe e përpunimit të qumështit, ka hyrë në vitin 2025, si në listën e të ardhurave ashtu dhe të fitimeve. Në vitin 2025, kompania raportoi të ardhura prej gati 2.65 miliardë lekësh, me rritje 6.8% me bazë vjetore.

Fitimet arritën në 234 milionë lekë, me zgjerim 10%. “Në vitin 2025, ritmi i rritjes ishte më i moderuar se në vitet e mëparshme, por investimet e realizuara e forcuan më tej bazën për zhvillimin e ardhshëm”, thotë Saimir Begaj, administrator i shoqërisë.

Edhe “ADG” (Lufra), operatori i dytë më i madh në këtë segment, ka shënuar ecuri pozitive, me fitime që u rritën me 64%, në 184 milionë lekë, por duke mbetur jashtë listës së 200-shes. Të ardhurat ishin 2.5 miliardë lekësh, me zgjerim 24%.

Këtë vit, në renditjen e më fitimprurësve në industri, janë dy shoqëri nga përpunimi i drithërave, për herë të parë pas shumë vitesh. Sektori po e merr sërish veten, i ndikuar pozitivisht nga shtimi i konsumit si rrjedhojë e uljes së prodhimit për autokonsum dhe shtimit të turistëve, të cilët njihen si konsumatorë të mirë të byrekut.

“Miell Tirana”, fabrika më e madhe e prodhimit të miellit në vend, raportoi të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh, me zgjerim 4%. Fitimet u shtuan ndjeshëm me 33%, në 279 milionë lekë, duke e futur atë në listën e 200 sipërmarrjeve me fitim më të lartë në vend.

“Atlas Mills” kishte të ardhura 1.9 miliardë lekë, me rritje 12% me bazë vjetore. Kompania është për të dytin vit në listën e fitimeve, që arriti në 247 milionë lekë, me zgjerim gati 17%. Norma ishte 12.9%.

 

Të mëdhenjtë e industrisë

Disa sipërmarrje në industrinë përpunuese, që janë në listën e “Monitor 200” sipas të ardhurave, që nënkupton se realizojnë qarkullim vjetor mbi 25 milionë euro në vit, nuk hyjnë në atë të fitimeve, pasi kanë rezultat financiar më të ulët sesa 2.3 milionë euro, sa është dhe kufiri minimal i fitimit për të hyrë në listë.

Të tjera kanë parë rritje të fitimeve, të lidhur me koniunkturën e favorshme ndërkombëtare.

“Beralb”, shoqëria që operon me një marrëveshje koncesioni 42-vjeçare me qeverinë shqiptare për shfrytëzimin e minierave të bakrit, ka vijuar për të dytin vit radhazi rritjen e shpejtë. Kompania deklaroi qarkullim vjetor prej 5.2 miliardë lekësh, me rritje 54%, pas zgjerimit me 76% në vitin 2024.

Shoqëria u rendit e para në vend nga industria, për fitimet më të larta, që arritën në gati 1.7 miliardë lekë, në tetëfishim në raport me vitin e mëparshëm.

Ecuria u ndikua nga koniunktura e favorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe shtimit të licencave të shfrytëzimit. Gjatë vitit 2025, çmimi i bakrit shënoi rritje të qëndrueshme, duke kaluar nga rreth 9,500 USD për ton në nivele mbi 12,000 USD për ton, sipas deklarimeve zyrtare.

Shoqëria shfrytëzon me koncesion minierën e bakrit në Munellë, minierën e bakrit në Lakrosh dhe dy uzinat e pasurimit, një në Fushë-Arrëz dhe tjetra në Shkodër.

Gjatë vitit 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dha një licencë për aktivitetet e shfrytëzimit dhe vlerësimit për katër miniera të tjera: Qafë Bari, Karma, Tuç dhe Palucë.

Z. Mehmet Uluyurt, CEO BERALB sh.a. thotë se elektrifikimi, tranzicioni energjetik dhe digjitalizimi po rrisin nevojën për bakër dhe minerale të tjera. Rrjetet elektrike, energjia e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe teknologjitë e reja janë ndër burimet kryesore të kësaj kërkese.

Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Global Critical Minerals Outlook 2026, në bazë të projekteve ekzistuese dhe atyre të shpallura, në vitin 2035 oferta e bakrit mund të jetë rreth 25% më e ulët se kërkesa e parashikuar. “Kjo situatë krijon si mundësi të rëndësishme, ashtu edhe përgjegjësi strategjike për Shqipërinë.

Në vlerësimin e potencialit minerar të vendit, krahas kërkimit dhe prodhimit, duhet të shqyrtohen edhe mundësitë për përpunim vendas dhe krijim të vlerës së shtuar, aty ku kjo është e mundur.

Vendet që nuk përfshijnë në agjendat e tyre zhvillimin e përpunimit dhe të veprimtarive me vlerë të shtuar rrezikojnë të humbasin mundësinë për t’i përpunuar lëndët e para në faza më të avancuara, për të zhvilluar industri të lidhura me to dhe për të forcuar pozicionin e tyre në zinxhirët e furnizimit.

Është e rëndësishme që Shqipëria të pozicionohet në këtë fushë në kohën e duhur dhe në mënyrë të planifikuar”, rekomandon z. Uluyurt.

“Kurum”, që deri në vitin 2024 ishte sipërmarrja më e madhe në sektorin e industrisë, ka shënuar rënie të fortë në vitin 2025. Të ardhurat e kompanisë u reduktuan me 83%, në vetëm 4.5 miliardë lekë, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të përpunimit të çelikut.

Edhe fitimet pothuajse u përgjysmuan në gati 700 milionë lekë. Në vitin 2025, aktiviteti i kompanisë u përqendrua në prodhimin e energjisë, me rreth 364 milionë kWh energji elektrike, nga të cilat, rreth 363 milionë kWh u destinuam për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim vetjak.

Në aktivitetin e përpunimit të çelikut, që sillte dhe pjesën më madhe të të ardhurave të shoqërisë, u shitën vetëm 5,758 tonë shufra çeliku.

Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie me 19.5% të të ardhurave, në 5.2 miliardë lekë, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore. Kompania deklaroi humbje të thella prej 1.6 miliardë lekësh, nga 77 milionë lekë rezultat po negativ vitin e mëparshëm.

Kjo performancë është ndikuar nga koniunktura e pafavorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare, si rrjedhojë e kërkesës së dobët. Kompania administron minierën e kromit në Bulqizë, uzinat e prodhimit të ferrokromit në Elbasan dhe Burrel.

Sipas raportit të aktivitetit, “edhe viti 2025 ishte një vit me paqëndrueshmëri të tregut, pas një periudhe mjaft të destabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nga kriza e luftës në Ukrainë që kaloi industria, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e FeCr u ulën me rreth 8%, duke u krahasuar me vitin 2024.

Gjatë vitit 2025 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë, për shkak të vendimeve të bordit duke vlerësuar ndikimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe kërkesës së shitjeve të produktit final.

Për pasojë është prodhuar një sasi prej përkatësisht 9,615 tonësh në Elbasan dhe 11,288 tonësh në Burrel. Ndërkohë prodhimi i kromit arriti shifrën e 82,104 tonë gjatë vitit 2025.

“Kombinati i Mishit”, p.sh. kishte të ardhura prej gati 3.6 miliardë lekësh dhe fitime rreth 60 milionë lekë

 “CWI-Albania” (Çokyasar Wire Industry Albania) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke.

E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha. Ndonëse prej tre vitesh është në listën e më të mëdhave sipas të ardhurave, me xhiro 3 miliardë lekë në 2025, kompania deklaroi për herë të parë fitime prej 112 milionë lekësh.

 

 

Industria mbështetëse automotive nuk arrin të bëhet fitimprurëse

Industria mbështetëse automotive është nga të paktat që po tërheq investime gjatë viteve të fundit. Sektori mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.

Por dhe këto kompani nuk po japin kthim të qëndrueshëm, teksa po ndikohen negativisht nga rënia e Euros. Kompanitë kanë pezulluar dhe planet optimiste që kishin kur hynë në Shqipëri për hapje të fabrikave të tjera e shtim të personelit.

“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në këtë segment, ka deklaruar të ardhura prej rreth 5.7 miliardë lekësh në vitin 2025, në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Në vitin 2024, shoqëria kishte deklaruar tkurrje 3.7%, pas disa vitesh radhazi me rritje dyshifrore.

“Yura Corporation Albania”, pjesë e grupit koreanojugor “Yura Co. Ltd.”, ushtron aktivitetin në Shqipëri sipas modelit të kompanisë mëmë. Grupi është i specializuar në projektimin, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve elektrike për industrinë automobilistike, përfshirë instalimet elektrike dhe njësitë ICU.

Për tre vjet radhazi (2023-2025) shoqëria ka rezultuar me humbje prej rreth 207-219 milionë lekësh në vit, duke e detyruar atë të rrisë kapitalin në mënyrë që të vazhdojë aktivitetin, si dhe të kërkojë mbështetje nga shoqëritë e vendeve të tjera. Në vitin 2024, kapitali u rrit në 4.5 milionë euro.

Në 1 janar 2026, ashtu si dhe në vitin 2025, “për të siguruar nevojat për likuiditet dhe vijimin pa ndërprerje të aktivitetit, ‘Yura Slovakia’ është angazhuar të mbështesë financiarisht shoqërinë.

Angazhimi është dhënë përmes një letre mbështetëse të datës 21 janar 2026, për të ndihmuar në përmbushjen e detyrimeve të parashikueshme të kompanisë”.

Pas këtyre ndërhyrjeve, shoqëria vlerëson që “bazuar në pozicionin e likuiditetit të shoqërisë, në datën e autorizimit të këtyre pasqyrave financiare, dhe në pasigurinë që rrethon zhvillimin e ardhshëm të shpërthimit, menaxhmenti vlerëson se ajo nuk do të ketë nevojë për financim shtesë për të përmbushur detyrimet e saj financiare”.

“SEWS Cabind Albania”, pjesë e grupit “SEWS Cabind S.p.A”, me seli qendrore në Collegno, Torino, Itali, hyri në Shqipëri në vitin 2019. Pas rritjes së shpejtë në vitin 2023, kur shënoi zgjerim prej 40%, aktiviteti është ngadalësuar në 2024-2025.

Të ardhurat e shoqërisë në vitin 2025 ishin 4.2 miliardë lekë, me rënie gati 1% me bazë vjetore. Fitimet ranë me ritme më të larta, duke zbritur nga 21 milionë lekë në vetëm 77 milionë lekë, me një normë prej 1.8%.

Shoqëria deklaron se punon me 56% të kapacitetit dhe ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm shitjesh, kundrejt klientëve kryesorë.

Sipas raportit të aktivitetit, “pas një periudhe zgjerimi të shpejtë të kapaciteteve dhe stabilizimit të aktivitetit, kompania vlerëson se ka hyrë në një fazë më të konsoliduar të prodhimit.

Fokusi është zhvendosur te rritja e produktivitetit, optimizimi i proceseve dhe ulja e humbjeve, përmes metodologjive të përmirësimit të vazhdueshëm si Kaizen.

Prioritet mbetet edhe përmbushja në kohë e porosive, përmes planifikimit më të mirë të kapaciteteve, furnizimit dhe logjistikës, si dhe futja më e shpejtë në prodhim e projekteve të reja”.

 

 

Eksportuesit e fasonit, në krizë të thellë, me norma fitimi minimale, ose humbje

Për të katërtin vit radhazi, industria e prodhimit të këpucëve po humbet terren. Ky segment, ku veprojnë disa nga sipërmarrjet më të mëdha që punojnë me material porositësi, është goditur nga euroja e dobët, mungesa e punonjësve, rritja e pagave dhe largimi i porosive drejt vendeve më të lira.

Rënia e euros ka ulur ndjeshëm të ardhurat e eksportuesve në lekë. Kontratat paguhen kryesisht në monedhën europiane, ndërsa pjesa më e madhe e kostove mbulohet në lekë. Sa më e dobët euroja, aq më pak të ardhura mbeten për pagat, energjinë, transportin dhe shpenzimet e tjera.

Këtyre vështirësive u janë shtuar edhe kostot në rritje, të ndikuara kryesisht nga rritja e pagës minimale, e cila në prill 2023 arriti në 40 mijë lekë dhe nga 1 janari 2026 u bë 50 mijë lekë nga viti 2026. Edhe më parë, ndërmarrjet kishin filluar të rrisnin gradualisht pagat, për të frenuar largimin e punonjësve drejt emigracionit.

Por kjo rritje e kostove po e ul ndjeshëm konkurrueshmërinë, duke bërë që porositësit e huaj, kryesisht nga Italia, të zhvendosin prodhimin drejt vendeve me kosto më të ulëta, si Maroku apo shtetet e Lindjes së Mesme.

Në vitin 2025, eksportet e tekstileve dhe veshjeve të këmbëve u reduktuan me rreth 1% në vlerë, me një tkurrje të barabartë nga të dy segmentet. Ndërsa në vitin 2025 u arrit që të frenohej disi rënia e dy viteve të mëparshme, në pjesën e parë të 2026-s tendenca është përkeqësuar sërish.

 

 

Për periudhën janar –qershor 2026, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë përkatësisht me 6.6% dhe 7.3%, me bazë vjetore.

Shoqëritë e mëdha prodhimit të këpucëve, që ishin pjesë e listës së “Monitor 200” për të ardhurat dhe më pak për fitimet, kanë dalë vitet e fundit nga të dyja listat, si rrjedhojë e tkurrjes së vazhdueshme të aktivitetit. Normat e fitimit të tyre mbeten minimale, në më pak se 5% për shumicën e prodhuesve.

Përkeqësimi i treguesve financiarë ka sjellë reduktim të vazhdueshëm të personelit. Gjashtë prodhuesit më të mëdhenj në vend deklaruan 3785 punonjës në vitin 2025, me tkurrje prej 10% në krahasim me një vit më parë, ose 415 persona më pak. Nga këto, vetëm një kompani (“Prodyn”) deklaroi rritje të stafit.

 

 

“Albaco Shoes” mbetet fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve. Të ardhurat e shoqërisë ranë lehtë me rreth 2%, në 1.6 miliardë lekë, pas tkurrjes me 27% në vitin 2024. Kompania raportoi një fitim minimal prej 4.5 milionë lekësh, me normë vetëm 0.3%, larg niveleve prej 107 milionë lekë të vitit 2022.

Kompania raporton se faturimet kanë pësuar ulje me rreth 26.35% në krahasim me vitin 2024, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, rënies së kërkesës dhe kursit të këmbimit. Shoqëria thekson se çmimet e faturimit në euro janë rritur, por rënia e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim të madh negativ.

Në kahun tjetër, kostot e prodhimit kanë shënuar rritje rreth 16.4% në krahasim me vitin 2024.

“AlbanDel” është ngjitur për herë të parë si shoqëria e dytë më e madhe në vend e prodhimit të këpucëve. E krijuar në vitin 2009, shoqëria është në pronësi të “Tod’s International B.V.”. Të ardhurat u rritën me 16%, në 1.25 miliardë lekë. Fitimet ishin minimale në 31 milionë lekë, me një normë prej 2.5%.

“Alba Shoes Group” ka zbritur në prodhuesin e tretë më të madh, sipas të ardhurave. Shoqëria raportoi të ardhura prej gati 1.1 miliardë lekësh, me rënie 7%. Fitimet ishin 21 milionë lekë, me një normë prej vetëm 2%.

“Protec Shoes” sh.p.k. deklaroi të ardhura prej gati 1.1 miliardë lekësh, me rritje 4% me bazë vjetore. Shoqëria ka aktivitet në prodhim të faqeve të këpucëve e sandaleve, këpucëve të gatshme të të gjitha llojeve. Kjo kompani rezulton më fitimprurësja nga ë mëdhenjtë me fitime 150 milionë lekë, me një normë prej 14%.

“ProDyn Albania” është kompania me rritjen më të shpejtë në vitin 2025. Të ardhurat u zgjeruan me 35%, në 870 milionë lekë.

Për të përballuar krizën që erdhi nga rritja e kostove dhe rënia e porosive, themeluesja e kompanisë, zonja Eva Laro, e transferoi prodhimin për një nivel më të lartë të klientëve. Kompania rezultoi me fitime prej 96 milionë lekë, me normë 11%, e dyta më e larta nga më të mëdhenjtë e fasonit.

“Fital”, dikur një nga operatorët më të mëdhenj të prodhimit të këpucëve në vend, që qarkullonte mbi 2 miliardë lekë në vit, ka shënuar tkurrje të fortë të aktivitetit dy vitet e fundit. Në vitin 2025, të ardhurat ishin 845 milionë lekë, në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

Në vitin 2019, shoqëria kishte deklaruar të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh. Kompania deklaroi humbje prej 105 milionë lekësh.

 

 

LEXONI EDHE:

 

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

 

IT, operatrët privatë çojnë 50-80% të të ardhurave për personelin; ata me tendera, norma fitimi 90%

 

Alessandro de Concini: Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industrisë

 

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

 

Fitimet japin sinjale rënëse, por ndërtimi pritet të vazhdojë, krahasimi me rajonin

 

Nafta, çmimet në rënie në dogana, por jo në tregun e pakicës, normat e fitimit në rritje të lehtë

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

“Shqipëria ka një mundësi reale për të riorientuar modelin e saj të rritjes drejt industris...

Intervistë me z. Alessandro de Concini, Kreu i Përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve (BEI) në Shqipëri   Shqipëria ka mundësi të mëdh...

10 minutes më parë 17 Min Lexim

Edhe ndërtimi fillon të lëshojë terren për fitimet, sidomos projektet rezidenciale

Vitet e fundit, ekonomia pa një valë të jashtëzakonshme të orientimit të kapitaleve të lira drejt sektorit të ndërtimit, të nxituara nga normat e l...

13 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!