Mesazhe provokuese, kërkesa për foto me fustane dhe takime jashtë shtëpisë. Piranjat zbulojnë situatën alarmante të dy të miturave në Vlorë

21:46, 20/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një histori që nis me pretendimin për ndihmë ndaj një familjeje në vështirësi ekonomike, por që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e dy vajzave të mitura në Vlorë.

Në pjesën e dytë të investigimit, Piranjat kanë zbuluar komunikime shqetësuese mes një 40-vjeçari, Marjusit, dhe njërës prej vajzave, vetëm 14 vjeçe, ndërsa nëna e tyre, pavarësisht përmbajtjes së mesazheve, vijon ta konsiderojë atë mik të familjes.

Në komunikimet e siguruara, Marjusi i kërkon vajzës fotografi me rrobat që i kishte blerë, duke i shkruar se i kishte mbetur fiksim të shihte se si i rrinin fustanet dhe fundet në trup. Në të njëjtat biseda, ai i propozon të vishte rrobat dhe të dilnin së bashku për të pirë diçka, madje i ofron ta merrte me makinë.

I përballur me këto mesazhe, Marjusi pretendon se qëllimi i tij ka qenë vetëm të ndihmonte vajzën, pasi familja kishte vështirësi ekonomike dhe nuk kishte mundësi t’i siguronte veshjet e nevojshme për shkollë. Ai këmbëngul se fotografitë i kishte kërkuar për të parë nëse rrobat i përshtateshin dhe se daljet bëheshin në shoqërinë e mbesës së tij, e cila është shoqe me vajzën.

Megjithatë, përballë pyetjes nëse do ta pranonte që një burrë tjetër t’i shkruante vajzës së tij të mitur në të njëjtën mënyrë, ai nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Por komunikimet shqetësuese nuk përfundojnë këtu. Në investigim dalin edhe mesazhe mes dy vajzave dhe partnerit të nënës, Ninos, vetëm 20 vjeç.

Në këto biseda përdoret një gjuhë vulgare dhe fyese, ndërsa në disa prej tyre vajzave u drejtohen shprehje me përmbajtje seksuale dhe kërcënuese, përfshirë paralajmërimin se do t’u gjente persona të tjerë për të abuzuar me to.

I kontaktuar nga Piranjat, Nino pretendon se ky ka qenë komunikimi i zakonshëm mes tyre dhe se edhe vajzat i drejtoheshin me të njëjtin fjalor. Ai e cilëson situatën si një shaka të momentit, por nuk mohon se komunikimet kanë ekzistuar.

Edhe më shqetësues është reagimi i nënës, e cila, pavarësisht mesazheve të bëra publike gjatë përballjes, i justifikon të dy personat dhe këmbëngul se nuk ka asgjë të keqe në marrëdhënien e tyre me vajzat.

Ajo pretendon se Marjusi e ka ndihmuar ekonomikisht familjen dhe se Nino ka kërkuar falje për komunikimet fyese. Denisa e lidh gjithë situatën me konfliktin që ka me ish-bashkëshortin, Harun Harunin, të cilin e akuzon për dhunë psikologjike.

Ndërkohë, situata familjare rezulton edhe më problematike për shkak të mungesave të përsëritura të vajzave në shkollë.

Drejtuesja e Zyrës Vendore Arsimore në Vlorë konfirmon se kishte ndërhyrë pas interesimit të Marjusit për rikthimin e tyre në shkollën ku kanë qenë më parë, por sqaron se procedura ishte kryer vetëm mbi bazën e kërkesës së nënës nëpërmjet sistemit e-Albania.

Gjatë përballjes me Piranjat, drejtuesja e ZVA-së shprehet e tronditur nga përmbajtja e mesazheve dhe deklaron se nuk do të pranonte një situatë të tillë nëse do të ishte në dijeni më herët. Ajo premton se dy vajzat do të ndiqen me përparësi nga strukturat arsimore dhe shërbimi psikosocial, ndërsa kërkon nga nëna të marrë përgjegjësinë për frekuentimin e rregullt të shkollës.

Edhe Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve në Vlorë konfirmon se është njohur me rastin pas një referimi nga shkolla për mungesat e vajzave.

Sipas drejtueses së komanduar, është mbledhur urgjentisht Grupi Teknik Ndërsektorial, me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse. Ajo sqaron se në atë moment shqetësimi kryesor ishte mosfrekuentimi i shkollës dhe se nuk ishin vënë në dispozicion të strukturës mesazhet që Piranjat kanë siguruar.

Pas njohjes me komunikimet, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve deklaron se do të kryejë një vlerësim të thelluar individual për të dyja vajzat dhe do të vijojë trajtimin e rastit në bashkëpunim me institucionet e tjera, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit.

Por gjatë investigimit dalin në pah edhe probleme të tjera brenda familjes. Vajzat kanë mungesa të përsëritura në mësim, konflikte me njëra-tjetrën dhe komunikime fyese me nënën. Kjo e fundit pranon se ka pasur episode dhune mes vajzave, ndërsa mohon se ato konsumojnë duhan.

Nëna pretendon gjithashtu se ka qenë e detyruar të përballojë e vetme rritjen e fëmijëve dhe se ish-bashkëshorti nuk ka kontribuar mjaftueshëm.

Në anën tjetër, Haruni shfaqet i shqetësuar për situatën e vajzave dhe kundërshton afrimin e Marjusit me to. Për këtë çështje, palët kanë paraqitur pretendime të ndryshme, ndërsa konflikti mes ish-bashkëshortëve duket se është bërë pjesë e një situate ku në qendër duhet të jenë dy fëmijët.

Në përfundim të investigimit, sipas informacionit të marrë nga punonjësit e Policisë së Vlorës, Harun Haruni është proceduar në gjendje të lirë për dhunë në familje, me pretendime për dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes dhe vajzës. Ndërsa Marjusi është proceduar në gjendje të lirë për ngacmim ndaj të miturës.

Një histori ku ndihma ekonomike, konfliktet familjare dhe komunikimet e papërshtatshme ndërthuren në një realitet alarmant. Por përtej pretendimeve të secilës palë, mbetet një pyetje thelbësore: kush po kujdeset realisht për sigurinë e dy vajzave dhe kush do të mbajë përgjegjësi që ato të mos mbeten mes indiferencës së të rriturve? 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco