Vendosni fjalën kyçe....

Greva e përgjithshme paralizon Italinë, rritet zemërimi ndaj Melonit


Italia u përball të premten me ndërprerje të gjera të aktivitetit, pasi punëtorët dhe studentët dolën në rrugë për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe degradimit të shërbimeve publike. Kjo është shenja më e fundit e pakënaqësisë ndaj qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.

Greva e përgjithshme u thirr nga sindikata më e madhe e Italisë, CGIL, e krahut të majtë, në shenjë proteste kundër thellimit të pabarazisë, rënies së pagave reale dhe dështimit të qeverisë për të mbështetur industritë në vështirësi.

Greva zhvillohet në një kohë kur koalicioni i djathtë i Melonit po përpiqet të finalizojë buxhetin për vitin 2027, mes shqetësimeve në rritje për stagflacionin dhe përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Sondazhet sugjerojnë se fushata për rizgjedhjen e saj do të jetë e vështirë: vetëm 34 për qind e votuesve miratojnë performancën e qeverisë, ndërsa mbështetja për opozitën e qendrës së majtë po rritet.

“Njerëzit kanë një problem shumë të thjeshtë: si t’ia dalin financiarisht”, u tha gazetarëve drejtuesi i CGIL-së, Maurizio Landini, ndërsa protestuesit marshonin nëpër Romë.

Buxheti i qeverisë, shtoi ai, “nuk i shërben vendit. Është thjesht reklamë elektorale. Nuk trajton asnjë nga problemet me të cilat përballen njerëzit”.

Edhe grupet studentore iu bashkuan grevës, duke braktisur mësimin për të protestuar kundër gjendjes së arsimit dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake, në të njëjtën linjë me demonstratat e Gjeneratës Z në të gjithë Evropën.

“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa na marrin të tashmen dhe të ardhmen tonë”, deklaroi Unioni i Studentëve në rrjetet sociale përpara protestave.

Të premten, protestat e punëtorëve në të gjithë Italinë shkaktuan ndërprerje në transportin publik, spitale, gjykata dhe shkolla.

Ndërprerjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Punonjësit e hekurudhave nisën një grevë 24-orëshe të premten në mbrëmje, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror do të ndërpresin punën të shtunën pasdite dhe në disa aeroporte të dielën.

Edhe drejtuesit e opozitës, Giuseppe Conte i Lëvizjes populiste Pesë Yjet dhe Elly Schlein e Partisë Demokratike, morën pjesë në protesta, duke synuar të përfitojnë nga pakënaqësia publike për shkak të presioneve ekonomike në rritje, shkruan FT.

Norma vjetore e inflacionit në Itali u rrit në 5,5 për qind në tetor, nga 4,2 për qind në shtator, sipas agjencisë së statistikave Istat, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi pagat reale, të cilat vijojnë të jenë nën nivelet e fillimit të vitit 2021. Ekonomia shënoi stanjacion në tremujorin e tretë.

Koalicioni i Melonit ka miratuar një projektbuxhet për vitin 2027, që parashikon ulje taksash dhe rritje shpenzimesh në vlerën e 26 miliardë eurove, me synimin për të mbajtur deficitin fiskal në 3,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por rritjet e propozuara të taksave për bankat dhe transaksionet financiare kanë zemëruar sektorin financiar dhe grupet e biznesit.

Kritikët e akuzojnë gjithashtu qeverinë se po favorizon lehtësimet fiskale për të vetëpunësuarit, në vend që të investojë në shërbimet publike të mbingarkuara, veçanërisht në shëndetësi. Koalicioni, i cili ka paraqitur 2.000 amendamente për vetë projektbuxhetin e tij, mbetet i përçarë lidhur me mënyrën se si duhet të trajtojë kundërshtimet e bizneseve dhe të sigurojë edhe 500 milionë euro të tjera për shëndetësinë dhe masa të tjera.

Meloni i ka tallur më parë grevat e së premtes, duke i cilësuar si një justifikim për të zgjatur fundjavën. Drejtuesi i CGIL-së, Landini, e hodhi poshtë këtë pretendim si “marrëzi” dhe “propagandë të ulët”, duke këmbëngulur se “njerëzit duan të dëgjohen”.

Trazirat vijnë pas protestave të muajit të kaluar nga shoferët e kamionëve, të zemëruar për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të karburantit, të cilët bllokuan autostradat në jug të Italisë, ndërprenë furnizimet dhe lanë bosh raftet e supermarketeve. Edhe demonstratat e fundit në qytetet veriore, veçanërisht në Milano, u shoqëruan me dhunë dhe grabitje.