Autoritetet franceze kanë nisur një hetim ndaj një ish-zyrtari të lartë të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar se ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi hetimet për financimin e fushatave zgjedhore të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, të drejtuar nga Marine Le Pen.
Sipas gazetës franceze “Le Monde”, në qendër të hetimit është Hugues Moutouh, aktualisht prefekt i rajonit Centre-Val de Loire. Ai dyshohet se ka përcjellë informacione mbi hetimet gjyqësore që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore të partisë në vitet 2022 dhe 2024, disa muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, konfirmoi të premten se për këtë çështje është hapur një hetim. Ai bëri të ditur gjithashtu se kishte thirrur Moutouh për një takim.
Prokuroria e Parisit i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se po heton shkelje të mundshme të konfidencialitetit profesional dhe të sekretit të hetimit, si dhe përdorimin e informacionit të siguruar nëpërmjet këtyre shkeljeve.
Deri më tani nuk ka persona të akuzuar zyrtarisht. Prokurorët konfirmuan se më 9 nëntor hetuesit kanë kontrolluar edhe selinë e Tubimit Kombëtar.
Marine Le Pen nuk ka bërë ende asnjë koment publik për këtë çështje.
“Nëse faktet konfirmohen, ato janë padyshim shumë serioze”, deklaroi ministri Nuñez në një intervistë për televizionin BFM TV.
Hetimi vjen në një moment delikat për partinë e Le Pen, më pak se gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, dhe i shtohet një serie polemikash që kanë përfshirë drejtuesit e saj.
Në shtator, Jordan Bardella, 31 vjeç, i konsideruar si kandidati i Le Pen për kryeministër në rast të fitores së saj, u përball me akuza se kishte bërë komente antisemite gjatë kohës kur ishte anëtar i ri i partisë. Pretendimet u publikuan nga faqja investigative “Mediapart”, por Bardella i mohoi kategorikisht.
Edhe vetë Marine Le Pen, 58 vjeçe, po përballet me probleme ligjore. Në korrik, ajo u dënua me një vit arrest shtëpie nën mbikëqyrje elektronike, pas shpalljes fajtore për përvetësim fondesh. Le Pen e ka apeluar vendimin dhe shpreson që të mos jetë e detyruar të mbajë pajisjen elektronike të monitorimit.
Pavarësisht çështjeve gjyqësore dhe polemikave që kanë përfshirë partinë e saj, Le Pen vijon të kryesojë në sondazhet e opinionit publik për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ku francezët do të zgjedhin pasuesin e Emmanuel Macron.
