Neda Balluku ka reaguar në rrjetet sociale pas publikimit të historisë së saj në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku denoncoi ish-partnerin Ogren Balluku, duke pretenduar se prej më shumë se një viti nuk arrin të takojë dy djemtë e saj, Serzhin dhe Zain.
Përmes një postimi në Instagram, ajo ka shprehur shkurt dëshirën për të qenë pranë fëmijëve, duke shkruar: “Dua Serzhin dhe Zain. Kaq”. Mesazhi vjen pas denoncimit të saj për moszbatimin e një vendimi gjyqësor që i njeh të drejtën e takimit me të miturit.
Neda pretendon se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe ndërhyrjeve përmes institucioneve, takimet me djemtë nuk janë realizuar sipas përcaktimeve të gjykatës. Ajo ka ngritur shqetësimin se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk po zbatohet, duke e lënë të pazgjidhur situatën prej më shumë se 12 muajsh.
Në investigimin e “Fiks Fare” u trajtua edhe procesi përmbarimor, ku u ngritën pikëpyetje mbi veprimet e përmbarueses Anxhela Doleqi dhe mënyrën se si është ndjekur procedura për garantimin e takimeve të përcaktuara me vendim gjyqësor.
Po ashtu, në emision u publikuan dëshmi të stafit mjekësor lidhur me pretendime për presion ndaj një mjekeje pediatre, presion që dyshohet se është ushtruar nga Ogren Balluku.
Nga ana tjetër, Neda ka deklaruar se vendimin për takimet e babait me vajzën e vogël e ka respektuar vullnetarisht, ndërsa sipas saj, e drejta për të takuar dy djemtë nuk po i garantohet.
Reagimi i saj i fundit në rrjetet sociale ka rikthyer vëmendjen te kjo çështje, ku përveç konfliktit mes prindërve, shtrohen pikëpyetje mbi zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve për të ruajtur marrëdhëniet me të dy prindërit.
