Vendosni fjalën kyçe....

Vizita e Bill Gates ndez debatin mbi bakrin e Kilit


Një vizitë e Bill Gates në minierën më ikonike të Kilit ka shkaktuar zemërim te politikanët, duke intensifikuar debatin mbi të ardhmen e gjigantit shtetëror të bakrit, Codelco, ndërsa qeveria po shqyrton një rol më të madh për kapitalin privat.

Vizita e miliarderit në Chuquicamata, në fillim të nëntorit, u zhvillua pa shumë bujë, por preku një çështje të ndjeshme në politikën kiliane: Kush duhet të kontrollojë rezervat e mëdha shtetërore të bakrit, në një kohë kur rënia e prodhimit po e zhyt ekonominë në recesion, shkruan Bloomberg.

Megjithëse nuk ka asnjë provë publike se Gates po negocionte një investim, vetëm pak ditë pasi vizita e tij u bë publike, ligjvënësit e opozitës i kërkuan zyrtarisht Codelco-s të bënte të ditur se si ishte autorizuar vizita, kush kishte marrë pjesë, nëse ishin nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti dhe nëse ishin diskutuar investime, partneritete apo kërkimi i partnerëve nga sektori privat.

Codelco ende nuk është përgjigjur. Gjithashtu, nuk pati një reagim të menjëhershëm ndaj kërkesave për koment nga fondi i investimeve të Gates apo fondacioni i tij.

Lidhjet e Gates me industrinë minerare përmes firmës së investimeve Breakthrough Energy Ventures, të kombinuara me zërat gjithnjë e më të fortë se administrata e presidentit José Antonio Kast, e orientuar drejt ekonomisë së lirë të tregut, dëshiron të përfshijë kapitalin privat në Codelco, mjaftuan për të nxitur dyshimet se vizita mund të kishte pasur një qëllim tjetër.

“Jemi të shqetësuar për mbrojtjen e aseteve publike dhe për të kuptuar rrethanat në të cilat u zhvillua kjo vizitë”, tha në një mesazh përfaqësuesja e opozitës, Valentina Cáceres. “Codelco u përket të gjithë kilianëve dhe ne kemi të drejtë të dimë se kush e autorizoi vizitën, kush mori pjesë dhe cilat tema u diskutuan.”

Bashkëthemeluesi i Microsoft Corp. mbërriti në Kili në një moment kur debati për kapitalin privat në Codelco është tashmë në zhvillim. Në të majtë, shumëkush sheh ngjashmëri me privatizimet gjithëpërfshirëse të kryera gjatë diktaturës së Augusto Pinochet dhe paralajmëron për dobësimin e kontrollit shtetëror mbi asetet e bakrit të shtetëzuara në vitin 1971. Ndërsa disa në të djathtë argumentojnë se vështirësitë e ndërmarrjes shtetërore e përforcojnë argumentin për një përfshirje më të madhe të sektorit privat.

Ky debat u intensifikua javën e kaluar, kur ministri i Financave, Jorge Quiroz, la të hapur mundësinë që investitorët privatë të marrin në të ardhmen një pjesëmarrje minoritare në Codelco, ndërsa theksoi se tani nuk është momenti i duhur.

Disa ditë më vonë, ministri i Ekonomisë dhe Minierave, Daniel Mas, tha se vendi po shqyrtonte ndryshimin e ligjit për t’u lejuar kompanive private të marrin pjesë në disa vendburime të Codelco-s ose të bashkëpunojnë në projekte infrastrukturore dhe në impiantet e përpunimit.

Miniera e bakrit Chuquicamata e Codelco në Calama, Rajoni Antofagasta, Kili

Kjo sekuencë ngjarjesh ndihmon të shpjegohet se si një vizitë në dukje rutinë në një minierë u kthye në një çështje të ngarkuar politikisht. Partia Socialiste, sindikatat dhe ligjvënësit e opozitës akuzojnë administratën e Kast se po i ekzagjeron problemet e Codelco-s për të minuar besimin e publikut dhe për të përgatitur terrenin për shitjen e aseteve ose për një pjesëmarrje më të madhe të sektorit privat — akuza që qeveria dhe drejtuesit e kompanisë i hedhin poshtë.

Federata e Punëtorëve të Bakrit ka paralajmëruar kundër “privatizimit të kompanisë pjesë-pjesë”.

Por disa përfaqësues të së djathtës argumentojnë se vite të tëra me rënie të prodhimit, borxhe rekord, projekte të vonuara dhe, së fundmi, një skandal kontabël që përfshinte shifra të fryra të prodhimit, e kanë forcuar argumentin për një përfshirje më të madhe të sektorit privat dhe disiplinë më të rreptë financiare. Zyrtarët qeveritarë kanë hedhur idenë e shitjes së aseteve që nuk janë thelbësore për aktivitetin e kompanisë dhe zgjerimit të partneriteteve me kompanitë private minerare, ndërsa këmbëngulin se vetë Codelco do të mbetet në pronësi të shtetit.

Konsulenti i industrisë minerare, Juan Ignacio Guzmán, paralajmëron kundër leximit të tepruar të sinjaleve politike, duke e përshkruar reagimin ndaj vizitës së Gates si “thjesht një mori sinjalesh alarmi”.

“Ka zëra që bëjnë thirrje për privatizim, por jo brenda qeverisë apo drejtimit aktual të kompanisë”, tha Guzmán.

Kryetari i Bordit Drejtues të Codelco-s, Bernardo Fontaine, është përpjekur të bëjë një dallim të ngjashëm. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo plan për privatizimin e kompanisë, ndërsa argumenton se partneritetet me kompanitë private janë thelbësore për zhvillimin e rezervave të mëdha minerare të Codelco-s dhe rikthimin e niveleve të prodhimit, duke pasur parasysh kufizimet e saj financiare.

Vizita e Gates mund të rezultojë se ka qenë thjesht një vizitë private. Por reagimi tregon se çdo zhvillim i ri lidhur me Codelco-n po shihet përmes prizmit të një debati shumë më të vjetër në Kili: Kush duhet të kontrollojë bakrin e vendit.