Për të disatën herë, Sali Berisha u bën thirrje partive të tjera të opozitës të bashkohen për të garuar në zgjedhjet vendore të 9 majit. Ai thotë se fronti kundër qeverisë duhet të përfshijë edhe partitë që kanë ndasi ideologjike.
Kreu i PD thekson se cilido qoftë rezultati, në favor të partisë së tij apo e kundërta, ai duhet të respektohet reciprokisht.
“Unë ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin, por ama nuk mund të mohosh se rreziku madhor i kombit, rreziku ekzistencial i kombit është partia e krimit dhe Edi Rama. Ndaj, hajde të bashkohemi njëherë. Po pse të bashkohemi? T’i heqim mënjanë dhe të votojmë si qytetarë të lirë. Dhe në qoftë se alternativa jote kundër Partisë Demokratike fiton vota nga qytetarët e lirë, ne respektojmë vullnetin e tyre, sikundër edhe ti. Po qe se alternativa e Partisë Demokratike merr kuotimin më të mirë, ti do të respektosh vullnetin”, tha Berisha.
Bashkimin e opozitës e quan si “armën më të fuqishme” edhe se protestat në luftën kundër kryeministri Edi Rama, por edhe “përgjegjësi historike”.
“Kundër tij janë përdorur protestat më gjigante, janë përdorur protestat më të guximshme, por ka një armë më të fuqishme se këto dhe kjo armë nuk është përdorur. Kjo armë është bashkimi! Kjo armë është bashkimi!
Edi Rama është buzë varrit dhe ne duhet t’i japim shtytjen e fundit në banesën e turpit të historisë. Dhe kjo kërkon të bashkohemi. Të bashkohemi jo më në aleancat konvencionale që i njohim të gjithë. Jo. Të bashkohemi me të gjithë ata të cilët janë me ne ose kundër nesh, por që, si shqiptarë të vërtetë, konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për foshnjën e këtij kombi, për farën e këtij kombi, për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi. Të bashkohemi në këtë front, se përndryshe, përndryshe, secili merr një përgjegjësi të tmerrshme historike”, tha Berisha.
Për protestuesit që refuzuan bashkimin me militantët e tij, kryedemokrati tha se “u përkiste qytetarëve”, por PD ka dhënë ‘kontributin’ e saj.
“Ajo protestë nuk ishte e jona, ishte e qytetarëve dhe ne, si demokratë, e respektojmë atë plotësisht dhe do të ishim aty deri ditën e fundit të saj. Asnjë forcë politike tjetër nuk ka bërë, nuk ka dhënë kontributin që ka dhënë Partia Demokratike në atë protestë”, tha Berisha.










Komente
Komento