Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar dy kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës, duke mos pranuar argumentet për azil dhe pezullimin e ekstradimit deri në përfundimin e një hetimi penal në këtë shtet. Vendimi i ri heq dy pengesa ligjore të pretenduara nga mbrojtja, ndërsa procedura e dorëzimit në Shqipëri tashmë i kalon autoriteteve ekzekutive braziliane.
Në vendimin e datës 11 nëntor 2026, të publikuar një ditë më pas, gjykatësi Alexandre de Moraes nuk pranoi kërkesën për pezullimin e ekstradimit për shkak të një aplikimi për azil në Brazil.
Avokatët e Matës kishin argumentuar se klienti i tyre kishte kërkuar mbrojtje ndërkombëtare dhe se dorëzimi në Shqipëri duhej të priste shqyrtimin e kësaj kërkese. Por, sipas gjykatësit, plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën kërkesë zyrtare për marrjen e statusit të refugjatit.
Në vendim theksohet se procedura nuk ishte formalizuar, pasi Mata nuk ishte paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar aplikimin. Për këtë arsye, autoritetet braziliane nuk e kishin përpunuar kërkesën dhe gjykata nuk gjeti bazë ligjore për të pezulluar ekstradimin.
Mbrojtja kishte paraqitur edhe një tjetër argument, duke kërkuar që dorëzimi të shtyhej deri në përfundimin e një hetimi penal që po zhvillohet në Gjykatën Federale të São José dos Campos. Edhe kjo kërkesë u rrëzua nga gjykatësi de Moraes, i cili vlerësoi se ekzistenca e një hetimi penal në Brazil nuk përbën, në vetvete, pengesë për ekstradimin.
Gjykata Supreme e Brazilit kishte miratuar që në gusht të vitit 2026 kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Matës. Pas rrëzimit të ankimeve të mëparshme të mbrojtjes, vendimi mori formë të prerë më 20 tetor.
Me vendimin e fundit, gjykatësi ka urdhëruar njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të Brazilit. Tashmë, autoritetet ekzekutive braziliane duhet të vijojnë procedurat për realizimin e dorëzimit të tij.
Megjithatë, ekstradimi mbetet i kushtëzuar nga vendimi i Presidentit të Brazilit dhe nga garancitë që duhet të paraqesë pala shqiptare.
Ervin Mata u arrestua nga policia braziliane në kuadër të kërkesës së autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të një grupi kriminal.

