Në Shtutgart mbahet seminar dyditor për mësimdhënësit e gjuhës shqipe në Baden-Württemberg

Mësimdhënësit e gjuhës shqipe në landin gjerman Baden-Württemberg kanë marrë pjesë në një seminar profesional dyditor, ku janë trajtuar metodat e mësimdhënies në klasat me nxënës të grupmoshave dhe niveleve të ndryshme të njohjes së shqipes.
Seminari u mbajt më 14 dhe 15 nëntor 2026, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, me temën “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në klasat heterogjene: Kurrikula, metodologjia dhe shkëmbimi i përvojave”, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Shtutgart, seminari u udhëhoq nga trajnerët nga Kosova, Shemsedin Beqiri dhe Lavdim Klinaku.
Gjatë dy ditëve u trajtuan çështje që lidhen me kurrikulën, planifikimin dhe metodologjitë e mësimdhënies, me fokus të veçantë në punën me nxënës që kanë mosha dhe nivele të ndryshme të njohjes së gjuhës shqipe.
Përmes ushtrimeve praktike, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, mësimdhënësit ndanë praktikat e tyre dhe diskutuan mundësi konkrete për përmirësimin e procesit mësimor.
Konsullata bëri të ditur se ky ishte seminari i parë i këtij formati i organizuar nga ky institucion në Shtutgart, duke e cilësuar atë si një hap në mbështetjen profesionale të mësimdhënësve dhe zhvillimin e mëtejshëm të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Në njoftim u theksua edhe rëndësia e punës së mësimdhënësve në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj që jetojnë dhe rriten në diasporë.
Për organizimin e seminarit, Konsullata falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe Departamentin për Diasporë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për mbështetjen e dhënë./Telegrafi/
Postimi i plotë:



































