Një alarm për bombë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit, pas gjetjes së një letre me mesazh kërcënues në tualetin e avionit të linjës Manchester–Rinas.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit, menaxheri i aeroportit ka njoftuar Policinë Kufitare për gjetjen e një letre të shkruar në gjuhën angleze, ku kërcënohej me shpërthim bombe.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është ushtruar kontroll i imtësishëm në avion, te pasagjerët dhe bagazhet, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga Policia dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kishin lidhje me autorin e mesazhit kërcënues.
Nga kontrolli i avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për ngjarjen është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën kërcënuese.m.k



