Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën të enjten kanë shkaktuar dëme materiale në disa komuna, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Ferizaj, një person ka mbetur i lënduar, ndërsa janë dëmtuar biznese, ndërtesa publike dhe automjete.
Me kërkesë të Policisë, KEDS-i ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në këtë komunë.
Dëme janë raportuar edhe në Prishtinë, Lipjan, Rahovec, Prizren dhe Kamenicë, Ferizaj ku janë dëmtuar kulme ndërtesash, vetura, sera bujqësore dhe hapësira të lokaleve.
Probleme me furnizimin me rrymë janë raportuar edhe në disa pjesë të Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit dhe Lipjanit.
Policia dhe ekipet emergjente kanë dalë në terren, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të kenë kujdes nga erërat e fuqishme.
Ndërkohë komuna e Rahovecit, sot ka nis pranimin e kërkesave për vlerësim të dëmeve nga erërat.
Komuna e Rahovecit nis pranimin e kërkesave për vlerësim të dëmeve nga erërat
Komuna e Rahovecit ka njoftuar se pas dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme të së enjtes, ka filluar pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve.
Kërkesat sipas njoftimit mund të dorëzohen në periudhën nga sot deri më datën 27 nëntor.
Pas përfundimit të këtij afati, kërkesat nuk do të pranohen për vlerësim të dëmeve.
“Kërkesat mund të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në sportelet e Komunës së Rahovecit. Kërkesa duhet t'i drejtohet: Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim; Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera”, thuhet në njoftim.
Dokumentet që duhet t'i bashkëngjiten kërkesës nga personat privatë janë: Kopja e letërnjoftimit të aplikuesit; Konfirmimi i llogarisë bankare; e Dëshmitë për dëmet e shkaktuara (fotografi me ngjyra).
Ndërkohë që bizneset duhet të dorëzojnë: Letërnjoftimi i pronarit; Certifikata e biznesit; Konfirmimi i xhirollogarisë bankare të biznesit; e Dëshmitë për dëmet e shkaktuara (fotografi me ngjyra).
KEDS: Ekipet po punojnë për normalizim të furnizimit me rrymë pas dëmeve që i shkaktoi era
KEDS-i ka njoftuar se ekipet janë duke punuar në terren për sanimin e plotë të problemeve dhe normalizimin e furnizimit me energji elektrike, pasi që në disa komuna të enjten në mbrëmje parti ndërprerje të rrymës për shkak të erërave të forta.
Belona Dallaveraj nga KEDS-i ka thënë se zonat më të prekura kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtime, Drenasi Obiliqi, Fushë-Kosova, Podujeva dhe Ferizajt.
“Brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit, ekipet tona kanë arritur të normalizojnë furnizimin me energji elektrike për rreth 80% të konsumatorëve të prekur, ndërkohë që janë lokalizuar problemet me shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit shpërndarës ku janë evidentuar dëmtime”, ka thënë ajo, duke shtuar se ekipet janë duke punuar ende në terren.
Gjimnazi në Ferizaj s’mban mësim për shkak të dëmeve që ia shkaktoi era objektit të shkollës
Gjimnazi “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj ka njoftuar se sot nuk do të mbahet mësim për shkak të dëmeve që shkaktuan erërat e forta mbrëmë në objektin e shkollës.
Në njoftim është bërë lutje që për shkak sigurisë të mos hyhet në oborrin e shkollës.
Mësimi thuhet se do të rifillojë të hënën.