Aktualisht, furnizimi me energji elektrike në Kosovë është i qëndrueshëm dhe pjesa më e madhe e kërkesës për konsumatorët me tarifa të rregulluara po mbulohet nga prodhimi i brendshëm. Megjithatë, siguria e furnizimit gjatë stinës së dimrit do të varet kryesisht nga ecuria e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe nga kushtet meteorologjike që ndikojnë te burimet e ripërtëritshme.
Drejtori i Departamentit të Tregut të Energjisë, Skender Muqolli, tha për KosovaPress se gjeneratorët po prodhojnë sipas planifikimit të përcaktuar në bilancin vjetor të energjisë, ndërsa edhe burimet e ripërtëritshme po japin performancë të mirë. Ai bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit këto burime kanë prodhuar mesatarisht rreth 165 megavat.
Të lidhura
None found
Sipas tij, KEK-u dhe të gjithë gjeneratorët janë duke punuar në përputhje me bilancin vjetor të energjisë të miratuar nga bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji. Kjo bën që pjesa dërrmuese e kërkesës, sidomos për konsumatorët me tarifa të rregulluara, të mbulohet nga prodhimi vendor dhe gjendja në sistem të paraqitet stabile.
Duke folur për përgatitjet për sezonin e dimrit, Muqolli theksoi se përveç performancës së termocentraleve, një rol të rëndësishëm në sigurinë e furnizimit do ta kenë edhe kushtet atmosferike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Ai shtoi se kapacitetet ndërlidhëse me shtetet fqinje janë rritur për rreth 350 megavat, prej të cilave 150 megavat me Shqipërinë dhe nga 100 megavat me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Muqolli nënvizoi se furnizimi gjatë dimrit ndikohet kryesisht nga performanca e gjeneratorëve të termocentraleve të KEK-ut, si dhe nga kushtet meteorologjike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te burimet e ripërtëritshme.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë. Ky vendim, i miratuar fillimisht nga Qeveria më 16 nëntor, mori mbështetjen e 61 deputetëve në seancën e mbajtur pas mesnatës së 20 nëntorit. Masat përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, veçanërisht gjatë orëve të pikut, krijimin e një Komiteti Teknik Emergjent dhe kursimin e energjisë elektrike në institucionet publike, me qëllim uljen e rreziqeve për furnizim të qëndrueshëm të qytetarëve dhe ekonomisë.




