Të paktën nëntë persona u vranë nga sulmet ruse që shënjestruan urat në Kiev dhe stacionet hekurudhore të premten, disa ditë pasi Ukraina dëmtoi rëndë Urën e Krimesë.

Zelensky e cilësoi sulmin si “më të madhin e këtij viti” dhe deklaroi se ka të paktën 2 viktima dhe 42 të plagosur, pas një vale sulmesh me 110 raketa, përfshirë 27 raketa balistike, si dhe më shumë se 400 dronë.

Forcat ruse kanë ndërmarrë gjatë natës sulme kundër infrastrukturës energjetike dhe mjeteve lundruese që përdoren në mbështetje të operacioneve të ushtrisë ukrainase.

Presidenti ukrainas e ka cilësuar Vladimir Putinin si “vrasës”, pas deklaratës së Donald Trump që iu referua udhëheqësit rus si “miku i tij”.

Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se i takon presidentit amerikan të vendosë “si ta quajë Putinin”, por shtoi: “Për ne, ai është armik... për ne, ai është një vrasës”.

“Mendoj se, në sytë e shumicës së njerëzve në botë, ai është një vrasës, sepse po vret njerëz dhe, meqë ra fjala, po vret çdo ditë dhe çdo natë”, tha ai.

Zelensky gjithashtu deklaroi se fakti që Putinit i referohet si një “mik” tregon se Trumpi “nuk po ushtron presion të mjaftueshëm” ndaj tij.

Përplasja verbale mes liderëve ndodhi në një kohë kur Polonia fqinje njoftoi se një raketë ruse e tipit “cruise” ishte mes tre objekteve që shkelën hapësirën e saj ajrore në juglindje të vendit, në orët e para të së premtes.

Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se ngjarja nuk dukej të ishte aksidentale, duke qenë se në atë rajon po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore. Nuk ka pasur persona të lënduar dhe as dëme materiale të raportuara, por Varshava e cilësoi incidentin si një “provokim” nga Moska.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi “shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake” dhe deklaroi se avionët luftarakë të NATO-s ishin ngritur në ajër në përgjigje të incidentit.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u aktivizua edhe alarmi ajror në bazën e Aviacionit Detar Amerikan në Sigonella të Sicilisë, pas raportimeve për praninë e mjeteve fluturuese pa pilot, të paautorizuara.

Disa dronë dyshohet se kanë fluturuar mbi pistë duke arritur deri në zonën rezidenciale të bazës. Komunikimet radio mes kullës së kontrollit dhe avionëve në mbërritje tregojnë se një avioni amerikan furnizues me karburant në ajër, KC-135 Stratotanker, i është dhënë urdhër të ndërpresë uljen dhe të shqyrtojë devijimin drejt aeroportit të Avianos (kodi LIPA). Ndërkohë, burime të tjera përmendin si destinacion të mundshëm alternativ edhe Lampeduzën.