Në Ministrinë e Mbrojtjes ka filluar gara "European Defense Tech" me mbi 200 njerëz të përfshirë nga fusha e sigurisë, inxhinierisë, AI, mekatronikës, akademisë ushtarake, dhe e mbrojtjes.

Në njoftim bëhet e ditur se gara prestigjioze ndërkombëtare, e cila organizohet për herë të parë në Ballkan, në Republikën e Kosovës, nga ICK, nën patronatin e ministrit të mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka sjellë në Prishtinë garues, mentorë, dhe ekspertë edhe nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria, dhe Ukraina.


Përgjatë tre ditëve, do të zhvillohen produkte nga tre kategori të sfidave:

- OSINT dhe kërcënimet hibride: përdorimi i inteligjencës artificiale për analizimin e burimeve të hapura dhe identifikimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformimit.

- Mbrojtja kibernetike e infrastrukturës kritike: përdorimi i inteligjencës artificiale për zbulimin dhe analizimin e kërcënimeve kibernetike.

- Zbulimi automatik i dronëve dhe monitorimi i situatës ajrore: zhvillimi i zgjidhjeve për identifikimin, klasifikimin dhe gjurmimin e dronëve.

EDTH 2026 mbështetet nga Zyra e Kryeministrit, NLB Banka sh.a. Prishtinë, XY CYBER, Toyota Kosova, Korporata Rugove, Telegrafi.com, dhe Drona. /Telegrafi/