114.6 kg kokainë të fshehura në kamion, arrestohet shoferi shqiptar në Francë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.11.2026, 08:37

Një sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar nga autoritetet franceze gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, në pikën e pagesës së autostradës në Arles të Francës. Në pranga ka përfunduar drejtuesi i kamionit, një shtetas shqiptar 50-vjeçar, i cili transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar.

Gjithçka nisi pak pas mesnatës, kur punonjësit e doganës ndaluan kamionin me targa italiane për një kontroll rutinë. Por gjatë verifikimit të automjetit, autoritetet zbuluan se përveç mallrave ushqimore, në kamion fshihej edhe një ngarkesë e paligjshme.

Sipas mediave franceze, shoferi kishte fshehur drogën në mbajtësen e bobinave të kamionit, një pjesë që shërben për stabilizimin e ngarkesës.

Gjatë kontrollit, doganierët zbuluan dhe sekuestruan plot 114.6 kilogramë kokainë.

Pas arrestimit, 50-vjeçari iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), pranë policisë gjyqësore në Marsejë, ndërsa më pas u dërgua në paraburgim në pritje të daljes para gjykatës.

Gjatë marrjes në pyetje, shtetasi shqiptar ka mohuar akuzat, duke pretenduar se droga ishte vendosur në kamion pa dijeninë e tij. Ai ka deklaruar se nuk kishte asnjë informacion për ngarkesën e fshehur dhe se kishte mësuar për praninë e saj vetëm gjatë kontrollit të kryer nga doganierët.

Sipas autoriteteve, 50-vjeçari nuk ka precedentë penalë dhe deri më tani nuk rezultonte i njohur për drejtësinë franceze.

Ai pritet të përballet me akuzat për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara, në kundërshtim me legjislacionin doganor.

Shqiptari do të dalë para Gjykatës së Tarasconit, në kuadër të procedurës së gjykimit të menjëhershëm, më 24 nëntor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit