Gjykata Supreme e Brazilit i mbyll ‘derën’, Ervin Mata do ekstradohet në Shqipëri
Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar dy kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës, duke i hapur rrugë vijimit të procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Në vendimin e datës 11 nëntor 2026, të publikuar një ditë më pas, gjykatësi Alexandre de Moraes nuk ka pranuar as argumentet për azil dhe as kërkesën për pezullimin e ekstradimit deri në përfundimin e një hetimi penal në Brazil.
Avokatët e Matës kishin kërkuar ndalimin e përkohshëm të dorëzimit të tij, duke pretenduar se ai kishte aplikuar për azil në Brazil. Por gjykatësi vlerësoi se plotësimi i një formulari elektronik nuk përbënte një kërkesë zyrtare për statusin e refugjatit.
Sipas vendimit, procedura nuk ishte formalizuar, pasi Mata nuk ishte paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar aplikimin. Për këtë arsye, pretendimi për azil nuk u konsiderua si bazë ligjore për të bllokuar ekstradimin.
Një tjetër përpjekje e mbrojtjes ishte kërkesa që dorëzimi i tij të shtyhej deri në përfundimin e një hetimi penal në Gjykatën Federale të Sao Jose dos Campos. Edhe ky argument u rrëzua, pasi gjykatësi Alexandre de Moraes theksoi se ekzistenca e një hetimi penal në Brazil nuk përbën pengesë për ekstradimin.
Gjykata Supreme kishte miratuar që në gusht të vitit 2026 kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Matës. Pas rrëzimit të ankimeve të mbrojtjes, vendimi mori formë të prerë më 20 tetor.
Me vendimin e fundit është urdhëruar njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të Brazilit, ndërsa vijimi i procedurave i kalon autoriteteve ekzekutive braziliane.
Megjithatë, dorëzimi i tij në Shqipëri mbetet i kushtëzuar nga vendimi i Presidentit brazilian dhe garancitë që duhet të paraqesin autoritetet shqiptare.
Ervin Mata u arrestua nga policia braziliane me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



