Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ishte në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe jo thjesht një favor për Prishtinën.
Përmes një shkrimi të publikuar në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka kundërshtuar edhe një herë krahasimet që presidenti rus Vladimir Putin ka bërë mes Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se dy rastet janë thelbësisht të ndryshme, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë juridik dhe politik.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka mbrojtur prej vitesh”, shkruan Kurti.
Kurti ka rikujtuar se në gusht të këtij viti, gjatë një deklarate në Beograd, Zelensky kishte konfirmuar se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetej i pandryshuar. Sipas Kurtit, ishte domethënëse që ky qëndrim u përsërit në kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.
Në shkrimin e tij, Kurti ka renditur edhe mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës pas nisjes së agresionit rus, përfshirë përafrimin me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, strehimin e gazetarëve ukrainas, si dhe ndihmën ushtarake dhe trajnimet.
Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas represionit ndaj shqiptarëve, luftës, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë negociatash ndërkombëtare. Ndaj, sipas tij, nuk mund të barazohet me aneksimin e Krimesë përmes forcës ushtarake.













