Francesco Schettino, ish-kapiteni i anijes turistike Costa Concordia, ku humbën jetën 32 persona në tragjedinë e vitit 2012, ka lënë burgun e Rebibbias në Itali pas rreth nëntë vitesh e gjysmë vuajtje dënimi. Ai ka përfituar një masë alternative, duke kaluar në shërbim social për pjesën e mbetur të dënimit.
Sipas mediave italiane, Schettino është larguar nga burgu mbrëmjen e së premtes, pasi gjykata e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve miratoi kërkesën për këtë masë. Vendimi është konfirmuar edhe nga avokatja e tij, Francesca Carnicelli.
Ish-kapiteni ishte dënuar me 16 vite burg për përgjegjësinë në mbytjen e anijes, vdekjen e 32 personave dhe plagosjen e të tjerëve. Pas vuajtjes së rreth nëntë viteve e gjysmë në qeli, atij i kanë mbetur edhe gjashtë vite e gjysmë dënim, të cilat do t’i shlyejë pranë shërbimeve sociale.
Ende nuk është bërë e ditur se ku do të vendoset Schettino dhe çfarë angazhimi konkret do të ketë gjatë kësaj periudhe.
Avokatja Carnicelli e ka cilësuar vendimin si të drejtë, duke argumentuar se klienti i saj i plotësonte kushtet për përfitimin e masës alternative. Sipas saj, vlerësimet e specialistëve kanë qenë pozitive si për sjelljen e tij gjatë vuajtjes së dënimit, ashtu edhe për respektimin e programit të rehabilitimit.
Tragjedia e Costa Concordia
Ngjarja që tronditi Italinë ndodhi më 13 janar 2012, pranë ishullit Giglio. Anija turistike Costa Concordia ishte nisur nga porti i Civitavecchias me rreth 4.200 persona në bord, kur gjatë lundrimit iu afrua tepër shkëmbinjve dhe u përplas me ta.
Shkak u bë një manovër e njohur si “përkulja e nderimit”, të cilën Schettino vendosi ta kryente pranë ishullit, në shenjë përshëndetjeje ndaj disa personave që kishin lidhje me zonën.
Përplasja shkaktoi një çarje të madhe në trupin e anijes, e cila u fundos brenda pak orësh. Bilanci ishte tragjik: 32 viktima dhe qindra persona të përfshirë në një operacion të vështirë shpëtimi.
Gjatë emergjencës, Schettino braktisi anijen, duke u përballur me kritika të ashpra. Mesazhi i kapitenit të portit të Livornos, Gregorio De Falco, i cili i kërkonte të kthehej në bord, u bë një nga momentet më të njohura të tragjedisë: “Kthehu në bord!”
Tre ditë pas ngjarjes, Schettino u arrestua.
Dënimi me 16 vite burg
Procesi gjyqësor ndaj ish-kapitenit nisi më 9 korrik 2013 në Grosseto. Për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve, gazetarëve dhe personave të përfshirë, seancat u zhvilluan në një kinema-teatër të përshtatur si sallë gjyqi.
Më 11 shkurt 2015, gjykata e dënoi Schettinon me 16 vite burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 26 vite.
Dënimi përfshinte 10 vite për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia dhe plagosje, pesë vite për shkaktimin e mbytjes së anijes dhe një vit për braktisjen e saj.
Vendimi u konfirmua më pas nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë italiane, më 12 maj 2017. Po atë mbrëmje, Schettino u paraqit në burgun e Rebibbias për të nisur vuajtjen e dënimit.

