Edi Rama do të mbledhë ditën e sotme Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës.
Mbledhja do të mbahet në orën 11:00 tek Akademia e Arteve dhe pritet që zhvillimi i saj të jetë me dyer të mbyllura, por ende s’ka një njoftim zyrtar.
Ndërkohë Erion Veliaj ka postuar sërish një mesazh për socialistët, duke sulmuar prapë Edi Ramën.
Kësaj here, Veliaj është kujtuar për manipulimin e zgjedhjeve nga Edi Rama, ndërkohë që ai vetë festonte rezultatet e fituara me fuqinë e krimit, madje ishte pjesë e makinerisë së manipulimit.
MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj

© SYRI.net