Erion Veliaj ka përcjellë një mesazh drejtuar Asamblesë së Tiranës, përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur kritika ndaj drejtimit aktual të Partisë Socialiste dhe mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen socialistët që kontribuuan në ndërtimin e organizatës ndër vite.
Në mesazhin e tij, Veliaj kujton vitin 2015, kur sipas tij u ndërtua një organizatë politike e mbështetur te puna, progresi dhe qytetaria e Tiranës. Ai thekson se fitoret elektorale nuk erdhën nga krimi apo grupet kriminale, por nga kontributi i socialistëve dhe qytetarëve.
Më tej, Veliaj ngre pikëpyetje mbi gjendjen aktuale të partisë, duke kritikuar atë që e konsideron si zëvendësim të figurave dhe aktivistëve të vjetër me drejtues që, sipas tij, përfitojnë nga privilegjet e pushtetit.
Në mesazhin e tij, ai kritikon gjithashtu atë që e cilëson si besnikëri të verbër ndaj drejtuesve, duke vënë përballë saj besnikërinë ndaj parimeve dhe sakrificave të përbashkëta.
Veliaj thekson se, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet dhe faktit që i ka “duart e lidhura”, ai ruan bindjet dhe përgjegjësinë për atë që është ndërtuar ndër vite.
Ai u bën thirrje socialistëve të Tiranës të ruajnë qytetarinë dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar organizata socialiste në kryeqytet.
Reagimi i plotë:
MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj