Këtë të shtunë, me anë të një reagimi në llogarinë e tij në “Facebook”, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka reaguar për Asamblenë e PS. Në ditën kur kryeministri Edi Rama mbledh Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj në postimin e tij, u ka drejtuar një mesazh kolegëve socialistë.
Në mesazhin e tij, Veliaj kujton vitin 2015, kur sipas tij u ndërtua një organizatë politike e mbështetur te puna, progresi dhe qytetaria e Tiranës.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, ai thekson se fitoret elektorale nuk erdhën nga krimi apo grupet kriminale, por nga kontributi i socialistëve dhe qytetarëve.
Më tej, Veliaj ngre pikëpyetje mbi gjendjen aktuale të partisë, duke kritikuar atë që e konsideron si zëvendësim të figurave dhe aktivistëve të vjetër me drejtues që, sipas tij, përfitojnë nga privilegjet e pushtetit.
Në mesazhin e tij, ai kritikon gjithashtu atë që e cilëson si besnikëri të verbër ndaj drejtuesve, duke vënë përballë saj besnikërinë ndaj parimeve dhe sakrificave të përbashkëta.
Veliaj thekson se, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet dhe faktit që i ka “duart e lidhura”, ai ruan bindjet dhe përgjegjësinë për atë që është ndërtuar ndër vite.
Ai u bën thirrje socialistëve të Tiranës të ruajnë qytetarinë dhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar organizata socialiste në kryeqytet.
MESAZH PËR ASAMBLENË E TIRANËS
Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj








