-200,000€! Roma bëri me pagesë Fontana di Trevi, askush nuk hedh më monedha

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21.11.2026, 10:07

Vendimi i autoriteteve të Romës për të vendosur një biletë hyrjeje prej 2 eurosh pranë Shatërvanit të Trevit po sjell pasoja të papritura. Teksa arka e bashkisë po mbushet me të ardhura të reja, organizatat bamirëse po shënojnë një rënie të ndjeshme të fondeve që vijnë nga hedhja tradicionale e monedhave.

Që prej shkurtit të këtij viti, vizitorët e huaj (me përjashtim të banorëve vendas) duhet të paguajnë 2 euro për të zbritur në pjesën e poshtme të monumentit. Edhe pse masa kishte si synim menaxhimin e fluksit të madh të turistëve dhe mbulimin e kostove të mirëmbajtjes, ajo ka frenuar ritualin e njohur të hedhjes së monedhave mbi sup.

Vetëm në muajin e parë të aplikimit të tarifës, autoritetet vendore arkëtuan mbi 435 mijë euro nga shitja e biletave.

Organizata Caritas Roma, e cila grumbullon monedhat nga shatërvani për të financuar mensat sociale dhe familjet në nevojë, ka regjistruar një rënie prej rreth 200 mijë eurosh nga janari deri në shtator 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (kur të ardhurat vjetore kalonin 1.4 milionë euro).

Drejtori i Caritas Roma, Giustino Trincia, ka theksuar për mediat italiane se kufizimi i aksesit të lirë është një nga arsyet kryesore të kësaj rënieje, e cila po shkakton fërkime mes bamirësisë dhe bashkisë. Gjithashtu, faktori tjetër është se turistët po përdorin gjithnjë e më shumë pagesat digjitale dhe kartat bankare, duke mbajtur më pak para fizike me vete. Megjithatë, nga Caritas sqarojnë se në bilancin aktual nuk janë llogaritur ende monedhat në valuta të huaja, çka mund ta zbusë disi diferencën.

Për shumë vizitorë, pagesa e biletës po zbeh magjinë e traditës së lashtë, e cila mori famë botërore pas filmit të vitit 1954, Three Coins in the Fountain.

Turistë të intervistuar pranë monumentit tregojnë se preferojnë ta shohin dhe ta fotografojnë shatërvanin nga larg për të shmangur pagesën, ose heqin dorë nga hedhja e monedhës që kishin përgatitur kur shohin radhën e biletave. Madje, edhe ata që paguajnë hyrjen shprehen se shpesh nuk hedhin monedha, pasi nuk shohin më turistë të tjerë ta kryejnë këtë veprim rreth tyre.

Teksa Shatërvani i Trevit mbetet një nga pikat më të frekuentuara të kryeqytetit italian me rreth 4.4 milionë vizitorë në vit, mbetet për t'u parë nëse balanca mes mirëmbajtjes së monumentit dhe mbështetjes sociale për të varfrit do të gjejë një zgjidhje të përbashkët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit