Goditet grupi i kokainës në Britani, tre të rinj shqiptar dënohen me burg, përdornin pasaporta false (EMRAT)
Tre shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të krimit të organizuar në Britaninë e Madhe, janë dënuar me burg për përfshirje në shpërndarjen e kokainës, përdorimin e dokumenteve false dhe përfitimin e të ardhurave nga aktiviteti kriminal.
Vendimi është dhënë nga Gjykata e Kurorës në Swindon, ku Daniela Sopiku, 26 vjeçe, Hysen Sopiku, 21 vjeç dhe Alvaro Vrapi, 18 vjeç, kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre.
Daniela Sopiku, me banim të mëparshëm në Newport Street, Old Town, u dënua me 9 muaj burg. Ajo kishte pranuar akuzën për posedim të dokumenteve false të identifikimit me qëllim të paligjshëm, si dhe atë për përfitim dhe përdorim të pasurive të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Hysen Sopiku u dënua me 3 vite burg. Ai pranoi akuzat për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike të klasit A, posedim të pasurisë kriminale, drejtim automjeti pa leje dhe siguracion, posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, si dhe posedim të një objekti të përdorur për mashtrim.
Ndërsa Alvaro Vrapi, 18 vjeç, pa një adresë fikse banimi, u dënua me 28 muaj burg. Ai pranoi akuzat për posedim të dokumenteve false të identifikimit dhe përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike të klasit A.
Hetimet zbuluan aktivitetin kriminal
Sipas policisë britanike, hetimet ndaj tre shqiptarëve kishin zgjatur për një periudhë të konsiderueshme dhe përfshinin përdorimin e metodave të fshehta të investigimit. Përmes tyre u zbulua përfshirja e grupit në shpërndarjen e kokainës në disa qytete dhe zona të Wiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Në muajin qershor, policia arrestoi Hysen Sopikun dhe Alvaro Vrapin, pasi u gjetën brenda një automjeti tip Nissan Qashqai, teksa kryenin transaksione droge. Gjatë kontrolleve në dy zona që ata kishin vizituar po atë ditë, Biddestone dhe Giddeahall, pranë Chippenham, u zbuluan sasi droge me vlerë totale mbi 11 mijë paund.
Po atë ditë u arrestua edhe Daniela Sopiku në Old Town. Gjatë kontrolleve, policia gjeti mjete për aktivitetin e drogës, shuma të mëdha parash, mallra luksi nga marka të njohura dhe dokumente të falsifikuara identifikimi. Mes tyre ishte edhe një pasaportë italiane false në emër të saj, e cila u konfirmua si e falsifikuar nga autoritetet e emigracionit.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Vrapi kishte përdorur dokumente false për të hapur llogari bankare që shërbenin për aktivitetin kriminal. Nga verifikimet financiare rezultoi se tre personat kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara në vlerën totale prej më shumë se 53 mijë paundësh. Sipas autoriteteve, të tre ndodheshin ilegalisht në Britani dhe nuk kishin burime të ligjshme të ardhurash.
Oficeri i policisë Jordan Gratton deklaroi se dënimet pasqyrojnë seriozitetin e veprimtarisë së grupit, i cili kishte shpërndarë kokainë në komunitetet e Wiltshire dhe ishte përpjekur të fshihte aktivitetin përmes dokumenteve të falsifikuara dhe parave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi se hetimi i gjatë dhe provat e mbledhura mundësuan goditjen e grupit dhe ndërprerjen e aktivitetit të tij kriminal.
/vizionplus.tv




