Tre shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në Britaninë e Madhe, janë dënuar me burg pas një hetimi të gjatë të policisë britanike.
Bëhet fjalë për Hysen Sopiku, 21 vjeç, Daniela Sopiku, 26 vjeçe, (vëlla e motër) dhe Alvaro Vrapi, 18 vjeç, të cilët dolën përpara Gjykatës së Kurorës në Swindon.
Sipas Policisë, grupi ishte përfshirë në shpërndarjen e kokainës në disa qytete të rajonit gjatë viteve 2025 dhe 2026m ku hetimi çoi në zbulimin e aktivitetit kriminal, si dhe të përdorimit të dokumenteve false dhe pasurive të përfituara nga veprimtaria e paligjshme.
Dënimet e tre shqiptarëve:
Hysen Sopiku, 21 vjeç, u dënua me 3 vite burg për përfshirje në shpërndarjen e drogës së klasit A, posedim të pasurisë kriminale dhe vepra të tjera penale.
Daniela Sopiku, 26 vjeçe, u dënua me 9 muaj burg për posedim dokumentesh false dhe përfitim e përdorim të pasurisë kriminale.
Alvaro Vrapi, 18 vjeç, u shpall fajtor për përfshirje në shpërndarjen e drogës së klasit A dhe posedim dokumentesh false. Në njoftimin e policisë të datës 20 nëntor nuk specifikohet masa e dënimit të tij.
Hetimet zbuluan se Hysen Sopiku dhe Alvaro Vrapi ishin arrestuar në qershor, pasi ishin konstatuar duke kryer transaksione të lidhura me drogën. Gjatë kontrolleve u zbuluan edhe sasi kokaine me vlerë mbi 11 mijë paund.
Ndërkohë, Daniela Sopiku u arrestua po atë ditë në zonën Old Town, ku policia gjeti shuma të konsiderueshme parash, sende luksi dhe një pasaportë italiane të falsifikuar.
Sipas autoriteteve britanike, të tre kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara që kalonin 53 mijë paund.













