Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi Vladimir Putinin si mik të tij, duke e quajtur udhëheqësin rus “vrasës”.

Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Trump është i lirë ta përkufizojë sipas dëshirës marrëdhënien e tij me presidentin rus, por theksoi se për Ukrainën Putin mbetet armik dhe përgjegjës për vrasjen e njerëzve çdo ditë.

“Është në dorën e presidentit amerikan të vendosë se si ta quajë Putinin. Por për ne, ai është një armik. Për ne, ai është një vrasës”, deklaroi Zelensky.

Reagimi i presidentit ukrainas vjen pasi Trump, përpara takimit trepalësh me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping në Kinë, e përshkroi udhëheqësin rus si mik, duke thënë se të dy kanë pasur një marrëdhënie të shkëlqyer prej shumë vitesh.

Trump përsëriti të njëjtin qëndrim edhe të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi se Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të thoshte nëse presidenti rus konsiderohet mik i Shteteve të Bashkuara.

Zelensky kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se një gjuhë e tillë ndaj Putinit tregon se Moska nuk po përballet me presionin e nevojshëm ndërkombëtar.

“Mendoj se për shumicën e njerëzve në botë, ai është një vrasës, sepse po vret çdo ditë dhe çdo natë”, u shpreh presidenti ukrainas.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar gjatë natës, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur. Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona, mes tyre edhe një djalë, u vranë dhe 52 të tjerë mbetën të plagosur nga sulmet me raketa dhe dronë në qytetin Kryvyi Rih, në rajonin e Dnipropetrovskut.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës raportoi gjithashtu për 11 të plagosur në rajonin e Kharkivit dhe një tjetër në Rivne.

Sulmet vijnë pas bombardimeve të së premtes, të cilat goditën ura në Kiev dhe stacione hekurudhore në perëndim të vendit. Zelensky i cilësoi ato si sulmet më të mëdha të këtij viti, duke raportuar për lëshimin e 110 raketave, mes tyre 27 balistike, si dhe më shumë se 400 dronëve. Nga këto sulme u raportuan të paktën nëntë viktima.

Në të njëjtën kohë, tensionet janë përhapur edhe përtej kufijve të Ukrainës. Polonia deklaroi se një raketë ruse e tipit cruise ishte mes tre objekteve që shkelën hapësirën e saj ajrore në juglindje të vendit të premten.

Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se raketa goditi një zonë rurale në Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Dy objekte të tjera, një raketë cruise dhe një dron me motor reaktiv, dyshohet se kanë goditur zona të tjera.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, deklaroi për BBC-në se raketat kishin sisteme udhëzimi, duke e konsideruar shumë të pamundur që ato të kishin devijuar aksidentalisht nga kursi për shkak të luftës elektronike ukrainase.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: