Mbërritja e anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës ka nisur në Akademinë e Arteve, ku në orën 11:00 pritet të mbahet mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama.
Në hyrje të godinës janë vendosur punonjës të Gardës, të cilët kryejnë verifikimin e pjesëmarrësve përmes një liste emërore. Vetëm pas këtij procesi, anëtarët lejohen të vijojnë drejt sallës ku do të zhvillohet mbledhja.
Ndërkohë, në sheshin “Nënë Tereza” vihet re një prani e shtuar e forcave të Policisë, të angazhuara për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.
Sa i përket përfaqësuesve politikë, deri më tani është konfirmuar mbërritja e deputetit Ervin Hoxha.
Mbledhja zhvillohet në kuadër të organizimit të strukturave të Partisë Socialiste dhe përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Gara për drejtimin e Bashkisë së Tiranës pritet të jetë një nga sfidat kryesore politike të këtij procesi zgjedhor.