Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë një ndeshjeje futbolli kundër gazetarëve të Bashkisë. Ai njoftoi të premten se kishte këputur tendinin e Akilit në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes dhe se do të duhet të mbajë një çizme ortopedike për javët në vijim.
Mamdani u paraqit me paterica në një konferencë për shtyp, ku tregoi se dëmtimi kishte ndodhur gjatë ndeshjes. I pyetur nga gazetarët për shkakun, kryebashkiaku pranoi se nuk kishte bërë ushtrimet e nevojshme të nxehjes përpara se të hynte në fushë.
“Nuk u shtriva”, u shpreh ai, duke iu referuar mungesës së përgatitjes fizike para lojës.
Pavarësisht dëmtimit, Mamdani nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e tij në fushë. Ai tregoi se kishte shënuar gol menjëherë pasi ishte futur në lojë, por me humor pranoi se kishte harruar që ishte 35 vjeç.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se skuadra e tij arriti të fitonte në fund përballë ekipit të gazetarëve.
Mamdani, i njohur për angazhimet e shumta në detyrën e tij, bëri të ditur se do të mbajë çizmen ortopedike për gjashtë deri në tetë javë. Ndërsa rikthimi i tij në fushën e futbollit pritet të ndodhë pas rreth nëntë muajsh.

