Në takime, forume ekonomike dhe konferenca të ndryshme, shpesh më kanë pyetur se cilat mund të jenë avantazhet krahasuese të Kosovës. Jo rrallë e kam pasur të vështirë të gjej ndonjë të tillë; në fakt, shpesh jam ndier mjaft ngushtë në momente të tilla. Në fillim, përmendja burimet tona natyrore - si ato mbi tokë, ashtu edhe ato nëntokësore - siç janë mineralet e Trepçës, rezervat e qymyrit apo pjelloria e tokës në Rrafshin e Dukagjinit që mundëson edhe prodhimin e rrushit të cilësisë së lartë. Kur mendoja se pse pikërisht këta shembuj më vinin gjithmonë ndërmend, kuptova se kjo e kishte rrënjën në të kaluarën tonë, në historinë tone dhe në nënndërgjegjen time.

Jam rritur dhe jam arsimuar me bindjen se Kosova është një vend me pasuri të mëdha natyrore. Kjo lidhej, veçanërisht, me mineralet e Trepçës. Dikur qarkullonte madje edhe parulla e njohur: "Trepça punon, Beogradi ndërton". Bindja e ngjashme ekzistonte edhe për termocentralet tona - ideja se ne furnizonim me energji elektrike gjysmën e Jugosllavisë. Këta faktorë, ndër të tjera, konsideroheshin si arsyeja kryesore se pse Serbia nuk pranonte të hiqte dorë nga pushtimi.


Më vonë, këndvështrimi im mbi vlerën e këtyre pasurive filloi të ndryshonte. Kjo nuk ndodhi sepse vlera ekonomike e këtyre burimeve është ulur apo zvogëluar e as sepse ato nuk janë të rëndësishme për zhvillimin tonë. Megjithatë, kuptova se të zotërosh burime dhe të dish t'i shfrytëzosh ato për të përmirësuar mirëqenien e komunitetit, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Që nga 12 qershori i vitit 1999, ne nuk jemi më nën sundimin e Beogradit apo të Serbisë. Kemi pasur kontroll dhe qeverisje të plotë mbi burimet tona natyrore - madje edhe më gjerë. Asgjë nuk na ka penguar t'i shndërrojmë ato në vlerë të shtuar ekonomike. Në fakt, i kemi menaxhuar jo vetëm pasuritë e përmendura më lart, por - pa përjashtim - të gjitha burimet ekonomike të trashëguara nga e kaluara, në mënyrën më të papërgjegjshme dhe abuzive që mund të paramendohet. Nuk është e nevojshme t'i përmend me emër ata që janë përfshirë në këtë proces abuzimi; ata të gjithë kanë emra dhe mbiemra të përveçëm.

Le të kthehem te pika ku e nisa këtë shkrim. Cilat mund të jenë, në realitet, avantazhet krahasuese të Kosovës në raport me vendet e tjera? Duke pasur parasysh peizazhin aktual ekonomik global, vendet e vogla si Kosova duhet të përpiqen të zhvillojnë avantazhe konkurruese që shkojnë përtej burimeve të thjeshta natyrore. Në këtë kontekst - nëse do të më kërkohej të veçoja avantazhet kryesore - besoj se ato mund të përmblidhen në tri pika thelbësore. Së pari, ne mbetemi popullsia më e re në rajon dhe në Evropë. Sipas statistikave të EUROSTAT-it për moshën popullsisë në Evropë për vitin 2025 (sipas shteteve), mosha mesatare në Kosovë është 31.1 - krahasuar me 33,7 në Armeni apo rreth 50 në Itali. Së dyti, ne kemi një nga diasporat më dinamike në botë e cila ka lidhje të forta me atdheun. Së treti, pozita gjeografike e Kosovës përbën një avantazh të madh, duke i ofruar komunitetit të biznesit - dhe vendit në tërësi - qasje në disa nga tregjet më të mëdha në botë.

Megjithatë, siç u përmend më lart, të kesh avantazh apo burim ekonomik është një gjë; të dish se si ta shfrytëzosh atë për transformim ekonomik është krejt tjetër. Burimet përfaqësojnë mundësi zhvillimi, por aftësia për t'i përdorur ato për të krijuar vlerë të shtuar është çështje krejtësisht e ndryshme.

Secili prej këtyre burimeve dhe avantazheve - popullsia e re, diaspora e fuqishme dhe thellësisht e lidhur me rrënjët e saj, si dhe qasja në tregjet e hapura ndërkombëtare - mbart një potencial të jashtëzakonshëm, me kusht që ky potencial të mund të zhbllokohet dhe të orientohet drejt përdorimit produktiv. Secili prej tyre zotëron një lloj të veçantë potenciali.

Për shembull, në peizazhin aktual të ekonomisë së Kosovës, sektori më dinamik është ai i TIK-ut (Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit). Bëhet fjalë për një brez të ri njerëzish, të aftë në teknologjinë digjitale - shpesh të mbështetur nga kapitali, ekspertiza dhe lidhjet ndërkombëtare që ofron diaspora, si dhe nga qasja në platforma dhe tregje globale - gjë që e ka bërë këtë sektor një simbol të zhvillimit tonë.

Kush mund t'i shfrytëzojë me mençuri këto burime? Sigurisht, një shoqëri - dhe veçanërisht një qeveri e orientuar sinqerisht drejt zhvillimit - mund ta bëjë këtë. Kjo nënkupton të qenit pranë sfidave me të cilat përballen ndërmarrjet, koordinimin e aktorëve të zhvillimit për të adresuar këto çështje, si dhe nxitjen e një procesi të të mësuarit të vazhdueshëm. /Telegrafi/