Bandat shqiptare po konsolidojnë pozitat e tyre në tregun e kokainës në Britaninë e Madhe, duke përdorur rrjete të sofistikuara furnizimi, rekrutimi dhe shpërndarjeje.
Një investigim i publikuar nga gazeta britanike The Sun, zbulon mënyrën se si grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, duke shfrytëzuar edhe boshllëqet në kontrollin e kufijve britanikë.
Sipas investigimit, drejtuesit e këtyre rrjeteve dyshohet se përdorin edhe trafikimin e personave për të sjellë në Britani njerëz që më pas angazhohen në shpërndarjen e drogës.
Në raste të tjera, ata organizojnë largimin e personave të kërkuar nga autoritetet britanike drejt Europës, përmes kanaleve të paligjshme.
Telefonat që shiten deri në 300 mijë paund
Një prej zbulimeve më të veçanta të investigimit lidhet me përdorimin e telefonave celularë që përmbajnë mijëra kontakte klientësh.
Këta telefona reklamohen në rrjetet sociale dhe mund të shiten deri në 300 mijë paund. Blerësi nuk merr thjesht një pajisje, por një rrjet të konsoliduar klientësh, duke blerë në praktikë një aktivitet të gatshëm të shpërndarjes së drogës.
Ish-oficeri i policisë metropolitane, David McKelvey, i cili ka marrë pjesë në hetime kundër grupeve shqiptare, e përshkruan këtë si një model biznesi kriminal.
Rekrutimi përmes TikTok, ofrohen deri në 280 paund në ditë
Investigimi zbulon gjithashtu se grupet kriminale përdorin TikTok për të rekrutuar shpërndarës dhe drejtues automjetesh në qytete të ndryshme britanike.
Gazetarët investigativë identifikuan qindra reklama që ofronin vende pune të dyshuara si të lidhura me shpërndarjen e drogës. Në disa raste, ofertat arrinin deri në 280 paund në ditë, ndërsa në raste të tjera përfshihej edhe akomodimi.
Një prej personave të intervistuar në mënyrë anonime, i identifikuar me emrin Granit, tregoi se kishte hyrë ilegalisht në Britani me një varkë të vogël, me qëllimin për të punuar në tregtinë e drogës.
Ai deklaroi se udhëtimi i tij ishte paguar nga të afërmit, me kushtin që pas mbërritjes të punonte për shpërndarësit shqiptarë të drogës.
Trafikim njerëzish edhe në drejtim të kundërt
Sipas investigimit, rrjetet e trafikimit nuk përdoren vetëm për të sjellë persona në Britani, por edhe për të larguar ata që kanë probleme me drejtësinë.
Gazetarët zbuluan një llogari në TikTok që reklamonte transportimin e personave nga Britania drejt Europës. Një person që ofronte këtë shërbim u kishte thënë gazetarëve të infiltruar se mund të transportonte persona të kërkuar nga policia britanike drejt Shqipërisë, me kamionë, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh për person.
Lidhjet direkte me kartelet e Amerikës së Jugut
Një tjetër element i rëndësishëm i investigimit lidhet me furnizimin me kokainë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), grupet e organizuara shqiptare kanë kontroll të konsiderueshëm mbi importin e kokainës në vend.
Ato kanë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës së Jugut, duke shmangur ndërmjetësit europianë.
Në investigim përmendet edhe grupi Hellbanianz, me bazë kryesisht në Barking, në lindje të Londrës, i cili ka lidhje me rrjete kriminale në Shqipëri dhe furnizohet drejtpërdrejt nga kartelet e Amerikës së Jugut.
Dokumentari trajton gjithashtu aktivitetin e Franc Copjas, i cili është akuzuar nga prokurorët shqiptarë për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Europë.
Investigimi nënvizon se pas tregtisë së kokainës qëndrojnë jo vetëm fitimet e mëdha, por edhe shfrytëzimi i njerëzve, dhuna dhe aktivitetet e tjera kriminale që prekin shoqërinë britanike.













