Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si “vrasës”, pasi presidenti amerikan Donald Trump iu referua këtij të fundit si “miku” i tij gjatë një takimi në Kinë.
Në një intervistë për CNN, Zelenskyy u pyet për komentet e Trumpit dhe mënyrën se si ai iu drejtua kreut të Kremlinit. “Për ne, ai është armik. Dhe sigurisht, për ne ai është vrasës. Mendoj se për shumicën e njerëzve në botë, ai është vrasës”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelenskyy paralajmëroi gjithashtu se përdorimi i një gjuhe miqësore ndaj Putinit mund të ulë presionin ndërkombëtar mbi të.
Trump e quajti Putinin “mik” gjatë takimit të tyre në Shenzhen të Kinës, në kuadër të një takimi trepalësh ku mori pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping. Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump vlerësoi sërish marrëdhëniet me udhëheqësin rus.
“Kam marrëdhënie fantastike me Putinin. Kjo është diçka shumë e mirë. Kam marrëdhënie fantastike edhe me presidentin Xi dhe kjo është gjithashtu diçka e mirë. Vendi ynë është i sigurt falë kësaj”, u shpreh ai.
I pyetur nëse Putini është mik i Shteteve të Bashkuara, Trump u përgjigj: “Nuk mund të flas në emër të Amerikës”. Ai shtoi se si Zelenskyy, ashtu edhe Putini dëshirojnë t’i japin fund luftës, por nuk dinë si ta bëjnë këtë.
Deklaratat vijnë pas një vale të madhe sulmesh ruse ndaj Ukrainës, nga mbrëmja e së enjtes deri të premten në mëngjes, ku sipas autoriteteve ukrainase humbën jetën të paktën shtatë persona në Kiev dhe u dëmtuan ura të rëndësishme mbi lumin Dnipro.
Zelenskyy tha se Rusia kishte lëshuar më shumë se 400 dronë sulmues dhe mbi 110 raketa, duke e cilësuar ofensivën si një nga sulmet më të mëdha të luftës. Sipas tij, objektivat përfshinin infrastrukturën civile, impiantet energjetike, logjistikën, urat dhe hekurudhat.
Sulmet pasuan paralajmërimin e Putinit se nuk do të kishte negociata për një armëpushim të pjesshëm me Ukrainën, pas goditjeve ukrainase ndaj urës së Krimesë gjatë kësaj jave, përcjell Euronews.