Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton shkruan në The New York Times për domosdoshmërinë e përkrahjes së Ukrainës dhe akuzon rëndë Donald Trumpin për qëndrimin e tij ndaj Rusisë.

Një president i fortë amerikan, që mendon në mënyrë strategjike, do të duhej t’i kërkonte Putinit që ushtria ruse të ndalte bombardimin e civilëve ukrainas dhe shkatërrimin e furnizimit të tyre me energji elektrike dhe ujë, shkruan Hillary Clinton në një editorial për gazetën The New York Times.


Ai do të duhej ta paralajmëronte Xi Jinpingun se Kina do të paguajë një çmim për mbështetjen që i jep makinerisë luftarake të Rusisë. Po ashtu, do të duhej t’ia bënte të qartë Putinit se përpjekja e tij për t’i detyruar ukrainasit të nënshtrohen këtë dimër, duke i lënë të përballen me acarin, do të dështojë - sepse ukrainasit janë më të qëndrueshëm nga sa mendon Putini dhe sepse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO do ta shtojnë mbështetjen për Ukrainën.

Askush nuk priste që Trumpi t’i bënte të gjitha këto. Sipas njoftimeve të para, ai nuk e bëri. Trumpi u largua nga samiti pa mbajtur një konferencë për shtyp lidhur me bisedimet e tij me Putinin, transmeton Telegrafi.

Të hënën, ai doli sërish në mbrojtje të Rusisë, duke pretenduar se Putini «mund të sillej shumë më ashpër ndaj Ukrainës». Në vend që t’i kundërvihet strategjisë ruse për të shkaktuar një krizë humanitare në Ukrainë gjatë këtij dimri, administrata Trump duket se po e favorizon dhe po e mbështet atë, shkruan Hillary Clinton.

Qëndrimi i qeverisë amerikane e ka inkurajuar diktatorin rus. Kjo e zvogëlon mundësinë që ai të bëjë lëshime për arritjen e paqes, ndërkohë që dobëson aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur.

Zonja Clinton kërkon: Në janar, shumica e re demokratike në Kongres duhet të hetojë politikën mirëkuptuese të Trumpit ndaj Rusisë dhe ta nxisë atë që t’i japë Ukrainës më shumë mbështetje. Qëllimi i shpallur i Putinit duket se është t’i ekspozojë miliona njerëz ndaj rrezikut të ngrirjes dhe të shkaktojë një valë refugjatësh drejt pjesës tjetër të Evropës.

Një mundësi tjetër për të ndalur raketat balistike të Putinit është ta ndihmohet Ukraina që të godasë pozicionet e lansimit të raketave në territorin rus. Shkatërrimi i këtyre pozicioneve do ta zvogëlonte nevojën e Ukrainës për raketa të tjera të mbrojtjes ajrore. Megjithatë, deri më tani, Trumpi nuk duket i gatshëm ta bëjë këtë.

Kongresi aktual duhet t’i kërkojë urgjentisht administratës që të vazhdojë përkrahjen e plotë me informata sekrete, të bëjë të ditur qartë se sa raketa Patriot do t’i dorëzohen Ukrainës dhe kur, të mundësojë zgjerimin e mbulimit të Starlinkut deri te pozicionet ruse të lansimit të raketave balistike dhe të përgatitet për të shtuar ndihmën humanitare gjatë këtij dimri.

Në janar, Kongresi i ri duhet të shkojë edhe më tej dhe të miratojë mbështetje shtesë për Ukrainën, në mënyrë që ajo ta fitojë këtë luftë. Tani është koha për të vepruar, jo për të bërë lëshime ndaj agresorit, përfundon Hillary Clinton./Telegrafi/