Studenti Orion Çela, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” në News24, ka folur për protestën kombëtare të paralajmëruar më 28 Nëntor, duke deklaruar se studentët dhe qytetarët janë të vendosur të vijojnë qëndresën deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Çela u shpreh se organizatorët kanë rënë dakord për mënyrën se si do të zhvillohet protesta, duke e cilësuar 28 Nëntorin si një ditë vendimtare për kundërshtimin e qeverisë.
Studenti theksoi se protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe diaspora, duke nënvizuar se pjesëmarrësit janë bashkuar përtej dallimeve politike.
Ai bëri të ditur se takimet mes studentëve dhe organizatorëve do të vijojnë, por fokusi kryesor mbetet mobilizimi për protestën e 28 Nëntorit.
“Jemi dakordësuar se si do të jetë mbarëvajtja me 28. Dhe kemi një ditë besoj për t’i dhënë fund kryeministrit. Data 28 Nëntor është për të rrëzuar këtë qeveri kriminale. Për të rrëzuar Edi Ramën. Protesta është aty çdo ditë dhe protesta do të vazhdojë deri sa ne të fitojmë. Mbështetja ka qenë e madhe, nga qytetarë, nga Diaspora… Ne kemi dalë për Shqipërinë jemi të gjithë bashkë. Sot ka një takim në dijeninë time. Takime do të ketë, por ne do të fokusohemi te protesta, më 28 Nëntor të shkojmë dhe të mos kthehemi më në shtëpitë tona pa fitore”, tha ai.
