Policia e Delvinës ka arrestuar një 41-vjeçar të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar me 9 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Në pranga ka rënë Besnik Banushi, banues në Delvinë. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Shijani”, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shijanit”.
Sipas njoftimit zyrtar, 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Sarandës, me vendimin e datës 23 korrik 2026, e kishte dënuar me 9 vite burgim për këtë vepër penale, lidhur me një rast të ndodhur më 2 janar 2012.
Kapja e tij u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në vijim të kontrolleve dhe punës për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

