“Biznesi” 300 mijë paundësh dhe pazaret në TikTok, zbardhet skema e frikshme e bandave shqiptare në Britani
Bandat shqiptare po forcojnë ndikimin e tyre në tregun e kokainës në Britaninë e Madhe, duke përdorur metoda të organizuara për furnizimin, rekrutimin e personave dhe shpërndarjen e drogës. Një investigim i publikuar nga media britanike The Sun nxjerr në pah mekanizmat që dyshohet se përdorin këto grupe kriminale për të zgjeruar aktivitetin e tyre, përfshirë shfrytëzimin e emigracionit të paligjshëm dhe platformave të rrjeteve sociale.
Sipas të dhënave të bëra publike në investigim, disa prej drejtuesve të këtyre rrjeteve dyshohet se përdorin trafikimin e njerëzve për të sjellë në Britani persona që më pas përfshihen në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në të njëjtën kohë, këto kanale shfrytëzohen edhe në drejtimin e kundërt, për të ndihmuar persona të kërkuar nga autoritetet britanike që të largohen drejt vendeve europiane.
Telefonat me mijëra kontakte shiten deri në 300 mijë paund
Një prej elementeve më të veçanta të zbuluara lidhet me tregtimin e telefonave celularë që përmbajnë baza të mëdha të dhënash me kontakte klientësh të drogës.
Këto pajisje reklamohen në rrjetet sociale dhe, në raste të caktuara, çmimi i tyre mund të arrijë deri në 300 mijë paund. Blerësi nuk paguan thjesht për një telefon, por për një rrjet të krijuar klientësh, duke marrë në dorë një aktivitet shpërndarjeje që mund të jetë tashmë funksional.
Ish-oficeri i Policisë Metropolitane, David McKelvey, i cili ka qenë i përfshirë në hetime ndaj grupeve kriminale shqiptare, e përshkruan këtë praktikë si një model të mirëfilltë biznesi kriminal.
TikTok përdoret për rekrutimin e shpërndarësve, ofertat arrijnë 280 paund në ditë
Një tjetër mënyrë që dyshohet se përdorin këto organizata është rekrutimi përmes TikTok-ut. Sipas investigimit, në platformë janë identifikuar qindra njoftime që ofronin punësim në qytete të ndryshme të Britanisë, me pozicione që dyshohet se lidheshin me shpërndarjen e drogës dhe transportin e saj.
Pagesat e reklamuara arrinin deri në 280 paund në ditë, ndërsa disa oferta përfshinin edhe sigurimin e akomodimit për personat e rekrutuar.
Në investigim përmendet edhe dëshmia e një personi të identifikuar me emrin Granit, i cili deklaroi se kishte hyrë ilegalisht në Britani me një varkë të vogël, me synimin për t’u përfshirë në tregtinë e narkotikëve.
Sipas rrëfimit të tij, udhëtimi ishte financuar nga të afërmit, por me kushtin që pas mbërritjes të punonte për shpërndarësit shqiptarë të drogës.
2,500 paund për të nxjerrë nga Britania personat e kërkuar
Rrjetet e trafikimit të njerëzve, sipas materialit investigativ, nuk shërbejnë vetëm për të sjellë punëtorë të paligjshëm në Britani. Ato dyshohet se përdoren edhe për të larguar persona që kanë probleme me drejtësinë britanike.
Gazetarët identifikuan një llogari në TikTok që reklamonte transportimin e njerëzve nga Britania drejt Europës. Një person që ofronte këtë shërbim u tha gazetarëve të infiltruar se mund të organizonte largimin e personave të kërkuar nga policia britanike drejt Shqipërisë, duke përdorur kamionë.
Çmimi i kërkuar për këtë shërbim ishte 2,500 paund për person.
Lidhjet me kartelet e kokainës në Amerikën e Jugut
Në qendër të investigimit është edhe mënyra se si sigurohet kokaina që përfundon në tregun britanik. Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) vlerëson se grupet e organizuara shqiptare kanë një ndikim të konsiderueshëm në importin e kësaj lënde narkotike në vend.
Sipas të dhënave të përmendura, këto organizata kanë ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës së Jugut, duke shmangur ndërmjetësit europianë dhe duke krijuar kanale të posaçme furnizimi.
Mes grupeve të përmendura është edhe Hellbanianz, me aktivitet të përqendruar kryesisht në zonën e Barking, në lindje të Londrës. Grupi përshkruhet si i lidhur me rrjete kriminale në Shqipëri dhe me furnizues të kokainës në Amerikën e Jugut.
Investigimi trajton gjithashtu aktivitetin e Franc Copjas, i akuzuar nga prokurorët shqiptarë për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Europë.
Materiali nxjerr në pah se pas këtij aktiviteti kriminal nuk qëndrojnë vetëm fitimet e mëdha nga tregtia e drogës, por edhe shfrytëzimi i personave, trafikimi i njerëzve, dhuna dhe forma të tjera të kriminalitetit që shtrihen përtej vetë tregut të narkotikëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



