E shtunë, 21 Nëntor 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Ministria e Shëndetësisë prezanton 13 nisma dhe 10 reforma për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka konsoliduar 185 rekomandime të paraqitura nga 19 institucione dhe organizata në 13 nisma konkrete dhe 10 reforma, me synimin për të forcuar sistemin e mbrojtjes dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Paketa e ndërhyrjeve vjen në vijim të porosisë së kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Ajo synon përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimin e shërbimeve që u ofrohen fëmijëve.

Gjatë mbledhjes, e zhvilluar në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, u dakordësua edhe një Deklaratë e Përbashkët, përmes së cilës institucionet angazhohen për mbrojtjen e dinjitetit, pjesëmarrjen dhe garantimin e shanseve të barabarta për çdo fëmijë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë prezantimit të nismave theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës së fëmijëve për t’u shprehur, për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike. Ajo nënvizoi gjithashtu përgjegjësinë e institucioneve për t’i mbrojtur ata nga dhuna, manipulimi dhe shfrytëzimi.

Reklamë

“Duhet të jemi të qartë se e drejta e fëmijëve për t’u shprehur, për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike duhet të respektohet. Njëkohësisht, kemi përgjegjësinë për t’i mbrojtur ata nga çdo formë dhune, manipulimi, shfrytëzimi apo përfshirjeje në veprime që cenojnë sigurinë dhe zhvillimin e tyre”, u shpreh Spahiu.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama kërkoi që Këshilli Kombëtar të funksionojë si një strukturë aktive, me një plan konkret dhe kalendar të përcaktuar për zbatimin e masave në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Rekomandimet e konsoliduara përfshijnë zbatimin më efektiv të legjislacionit, rritjen e kapaciteteve të institucioneve, sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes shërbimeve. Një pjesë e ndërhyrjeve lidhen me Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030 dhe Planin e Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030.

Në përfundim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nënshkruan Deklaratën e Përbashkët, duke formalizuar angazhimin e tyre për zbatimin e nismave dhe reformave të propozuara.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.