Elvis Demçe, i burgosur nën regjimin 41-bis në burgun e Operas në Itali, ka tentuar të vetëvritet duke u varur me një çarçaf në qelinë e tij. Ai është shpëtuar në kohë nga Policia e Burgut dhe është transferuar në spital. Kjo ishte tentativa e tretë për vetëvrasje.
Nga Natascia Grbic, FANPAGE
Dy tentativa të tjera të mëparshme kishin bërë që avokati i bosit, Massimiliano Capuzi, të kërkonte masa të tilla si transferimi i tij në një strukturë të mbrojtur, ku të niste një program terapeutik.
Për pak sa tentativa e tretë nuk rezultoi fatale.
Elvis Demçe, trafikanti i njohur shqiptar i drogës, duket se ka humbur atë vetëbesim të tepruar që e kishte ngjitur në krye të organizatave të përfshira në tregtinë e drogës, duke përjetuar në vend të tij gjendjen e rëndë psikologjike të një burgimi pa rrugëdalje.
Dy ditë më parë, ai lidhi një çarçaf të dhënë nga burgu i Operas, ku aktualisht mbahet nën regjimin e burgimit të posaçëm 41-bis, dhe tentoi të vetëvritej duke u varur.
Punonjësit e policisë së burgjeve e gjetën në kohë, e zgjidhën dhe e dërguan në spital. Me sa duket, do të shpëtojë. Por aktualisht ndodhet në terapi intensive.
Dy tentativa të tjera në vitet e kaluara kishin bërë që avokati i tij, Massimiliano Capuzi, të kërkonte masa si transferimi në një strukturë të mbrojtur, ku Demçe të ndiqte një trajtim terapeutik. Kjo nuk ishte bërë e mundur për arsye të ndryshme, ndoshta edhe për shkak të profilit të tij të lartë kriminal dhe dyshimeve të gjyqtarëve lidhur me gjendjen e tij të vërtetë shëndetësore, siç do të shpjegohet më poshtë.
Veprimi vetëdëmtues i këtij 40-vjeçari, i cili për veten kishte krijuar shprehje të forta si “Unë jam Zoti”, mund të rihapë tashmë debatin mbi kushtet në burgje dhe zbatimin e regjimit 41-bis. Madje, thuhet se pritet edhe një interpelancë parlamentare.
Numri një i trafikut të drogës me origjinë shqiptare është përballur me një sërë procesesh gjyqësore. I fundit është aktualisht në zhvillim dhe lidhet me tentativën për rrëmbimin e një rivali. Ndërkohë, ai po vuan një dënim prej 15 vitesh burg për trafik droge, i cili mori formë të prerë më 28 majin e kaluar, pas vendimit të Gjykatës së Kasacionit.
Demçe nuk është dënuar asnjëherë për pjesëmarrje në organizatë mafioze, por për autoritetet antimafia të Romës mbetet një nga trafikantët më të rrezikshëm, ndërsa për gjyqtarët është një kriminel që nuk është shkëputur kurrë nga e kaluara e tij kriminale.
Por sot pyetja është një tjetër: A rrezikon të vdesë nga vuajtjet brenda burgut?
Jo, sipas kryetares së Gjykatës së Apelit me Jurinë, Antonella Capri, e cila ditët e fundit ka rrëzuar plotësisht kërkesën për transferimin e tij në një strukturë terapeutike dhe nuk ka pranuar të autorizojë një ekspertizë të re për të përcaktuar nëse ai vuan nga ndonjë patologji.
E kundërta pretendohet nga mbrojtja, e cila paraqet disa ekspertiza mjekësore, njëra prej të cilave veçanërisht e argumentuar dhe e hartuar një vit më parë. Në të përmendet e ashtuquajtura “diagnozë e dyfishtë”: çrregullim i shkaktuar nga përdorimi i lëndëve narkotike, i ndërthurur me varësinë nga medikamentet e nevojshme për trajtimin e tij. Mbrojtja i referohet gjithashtu një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila në vitin 2025 ishte shprehur në favor të së drejtës së tij për të marrë trajtim mjekësor.
Duke dyshuar se gjithçka mund të ishte një përpjekje për të manipuluar sistemin, Prokuroria ka mbajtur gjithmonë qëndrim kundër transferimit të tij. Kufiri mes shtirjes dhe një patologjie të mirëfilltë duket se ndonjëherë është shumë i hollë.
Në të kaluarën ka pasur raste mjekësh bashkëpunues me të burgosurit (ose me bosët kriminalë), si dhe certifikatash mjekësore të manipuluara. Por më shumë se e kaluara, shqetësim ngjall e ardhmja.
Urdhri më i fundit gjyqësor, që i është njoftuar Demçes, lidhet me personat që dyshohet se porositën vrasjen e Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”, në Parkun e Ujësjellësve në vitin 2019.
Hetimi i prokurorit Francesco Cascini dokumenton përpjekjet e Demces për të marrë hak për mikun e tij. Është e qartë se trafikanti shqiptar i drogës do të duhet të mbrohet edhe nga akuza se ka tentuar të eliminojë bosin rival, Giuseppe Molisso.
Ndërkohë, situata e tij aktuale përshkruhet si një lloj burgimi “shëtitës”, shpjegon avokati Capuzi. Ai është transferuar në burgje të ndryshme në të gjithë Italinë, gjë që, natyrisht, ndikon edhe te vizitat e familjarëve dhe miqve.
Mes personave që kanë shprehur nevojën për shtrimin e Demces në spital është edhe përgjegjësja e shërbimit të mjekësisë penitenciare në burgun e Operas, Laura Mannarini. Ajo ka sugjeruar këtë zgjidhje për të trajtuar “çrregullimin bipolar me simptoma psikotike” nga i cili, sipas vlerësimeve mjekësore, ai vuan.
Por asgjë nuk është bërë.
Një kallëzim për moskryerje të detyrave zyrtare ndaj departamentit të policisë penitenciare ishte depozituar një vit më parë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.
© SYRI.net
Dosje voluminoze me 6 akuza. Ja emrat që janë vënë nën 'lupën' e SPAK për çështjen 'Spiropali'
4 ton kokainë në muaj/ Bosi shqiptar e organizon trafikun nga qelia në Shqipëri, paguan 10 mijë euro për të jetuar si mbret
EMRI/ I dënuar me 9 vite burg për marrëdhënie seksuale me të mitur, arrestohet 41-vjeçari në Delvinë