FSK-së i dhurohet roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në Kosovë
Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës i është dhuruar roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në Kosovë, me numër serik SR-4-001-KS.
Roboti është prodhuar nga kompania kosovaro-amerikane STRIDAR dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Mjetet tokësore pa ekuipazh (UGV) janë sisteme robotike që lëvizin në tokë pa pasur nevojë për operator brenda tyre. Ato mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome.
Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, këto mjete mund të përdoren për vëzhgim, transport të pajisjeve dhe mbështetje në zona me rrezik. Disa prej tyre mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.
Marrëveshja për donacionin është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesi i kompanisë STRIDAR, Nils Alstad.
Me këtë rast, Maqedonci ka falënderuar kompaninë për kontributin dhe angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore.















