Buburrecat pushtojnë godinën nr. 15 në Qytet Studenti, studentët prej muajsh jetojnë mes insekteve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.11.2026, 11:21

Një studente e akomoduar në Qytet Studenti i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet e rënda higjieno-sanitare në të cilat po jetojnë studentët e godinës nr. 15.

Përmes një mesazhi të mbërritur në redaksi, studentja tregon se prej disa muajsh po përballen me një problem shqetësues, atë të përhapjes masive të buburrecave në ambientet e godinës. Sipas saj, situata vijon prej kohësh, ndërsa deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete nga institucionet përgjegjëse për kryerjen e dezinsektimit.

Pamjet e dërguara nga studentja tregojnë praninë e buburrecave në ambiente të ndryshme të godinës, duke nisur nga hapësirat e përbashkëta, lavamanët dhe muret, e deri në ambientet private të dhomave ku qëndrojnë studentët.

Ajo shprehet se problemi nuk kufizohet vetëm në hapësirat e përbashkëta, pasi insektet futen edhe nëpër dhoma, në enët e kuzhinës dhe madje edhe në ushqimet e tyre. Një situatë e tillë, përveçse krijon shqetësim dhe vështirësi në jetesën e përditshme, ngre pikëpyetje serioze për kushtet e higjienës dhe sigurinë ushqimore në ambientet ku studentët jetojnë.

Studentja thekson se ata janë të detyruar të përballen çdo ditë me këtë problem, pa pasur një zgjidhje nga ana e personave apo institucioneve që kanë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e godinës.

Përmes këtij denoncimi, ajo kërkon që rasti të bëhet publik dhe të tërheqë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të ndërhyhet sa më parë për kryerjen e dezinfektimit dhe dezinsektimit të plotë të godinës nr. 15.

Studentët kërkojnë kushte normale dhe të sigurta jetese, ndaj mbetet për t'u parë nëse institucionet përgjegjëse do të reagojnë për t'i dhënë fund kësaj situate që, sipas denoncimit, vijon prej muajsh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit