Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur nisjen e një procesi të ri organizimi të Partisë Socialiste në Tiranë, duke kërkuar angazhimin e anëtarëve të partisë, qytetarëve dhe komuniteteve në kryeqytet.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Rama theksoi se riorganizimi duhet të mbështetet te një përfshirje më e gjerë dhe te rezultatet e qeverisjes socialiste, ndërsa si një prej pikave kryesore të këtij procesi përmendi edhe rikuperimin e kohës së humbur nga Tirana gjatë dy viteve të fundit.
Kreu i qeverisë komentoi gjithashtu situatën institucionale në bashkinë e kryeqytetit, duke kritikuar vendimet e drejtësisë lidhur me kryetarin e zgjedhur të bashkisë dhe vijimin e tij në detyrë. Rama e cilësoi këtë situatë si një absurditet dhe argumentoi se pasojat e saj po rëndojnë mbi qytetarët e Tiranës.
Sipas tij, pavarësisht se zgjidhja e kësaj situate nuk është në dorën e Partisë Socialiste, kjo e fundit duhet t’u paraqesë qytetarëve një plan konkret për të kompensuar vonesat e krijuara në kryeqytet, përfshirë edhe përfundimin e procesit të rindërtimit.
“Sot nisim organizimin e ri të PS-së për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës, partiak në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari, qytetar në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese, komunitar. Ky organizim do ta marrë forcën e vet nga arritjet e mëdha të PS-së për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasqyra e plotë e të cilave është buxheti i vitit 2027.
Njëkohësisht, në forcë bindëse do të duhet të kthejmë edhe deficitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re, nga njëra anë me paraburgimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së qytetit dhe, nga ana tjetër, me vendimin absurd të Kushtetueses për ta lënë në detyrë, edhe pse në mungesë. Ky absurditet është i pashoq në historinë e Europës demokratike.
Por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto dy vite, si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit”, tha Rama.

